Arbëri

Miftaraj: Mënyra si gjyqtarët e Kushtetueses i bënë pyetjet, s’përkonte me seancë të mirëfilltë gjyqësore

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se mënyra se si janë bërë pyetjet në seancën dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese të mërkurën lidhur me votimin e deputetit Etem Arifi, nuk përkonin me seancë të mirëfilltë gjyqësore.

“Ishte interesante mënyra se si bëheshin pyetjet nga ana e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për mendimin tim, pa autoritet, të pa koordinuar, nuk përkonte me një seance gjyqësore që udhëhiqet nga organi më i lartë që mbron Kushtetutën. Do duhej të ishte shembull i autoritetit, profesionalizmit, përgatitjes”, tha ai.

Miftaraj në DESKU të KTV-së tha se gjyqtari i Gjykatës parashtroi pyetje thuajse kishte harruar se një koleg i tij në po të njëjtin organ të drejtësisë është i dënuar porse nuk e ka vuajtur dënimin e veprës së kryer.

“U përmend gjatë seancës integriteti, u bë pyetje nëse një deputet me aktgjykim të formës së prerë e cënon integritetin e Kuvendit të Kosovës dhe si duket gjyqtari i kësaj gjykate e kishte harruar se një koleg i tij në këtë gjykatë është i dënuar për vepra jashtëzakonisht të rënda dhe nuk e ka vuajtur dënimin e po shërben si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, është gjykatësi serb i dënuar në Serbi për falsifikim dokumenteve të diplomës”, tha ai.