Arbëri

Harxhohen rezervat e oksigjenit në spitale, pacientët i sigurojnë vetë bombolat

“Oksigjen mos me pasë në spital, unë askund nuk kom pa. Mbrëmë kemi qenë t’u u tranu...”, ka qenë përshkrimi që një paciente ia ka bërë situatës së krijuar gjatë natës së 2 dhjetorit në Spitalin e Gjilanit.

Mbrëmja e së mërkurës ka qenë e rëndë për Spitalin e Gjilanit. Harxhimi i rezervave të fundit me oksigjen për mbi 50 pacientë që po trajtoheshin me oksigjenoterapi ka bërë që stafi të vihet në lëvizje.

Deri në orët e mesnatës stafi shëndetësor i Spitalit të Gjilanit është angazhuar për sigurimin e oksigjenit për shkak të mungesave. Familjarët e pacientëve gjithashtu janë angazhuar për gjetjen e oksigjenit për familjarët e shtrirë. Për të kursyer oksigjenin dy pacientë që ishin me CPAP janë transferuar për në QKUK.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë se kanë siguruar oksigjen vetëm për deri në orët e pasdites të së enjtes dhe se janë duke pritur furnizimet e tjera.

“Kemi pasë mbrëmë telashe, por falë angazhimit të të gjithëve deri në orën 24:00 në spital, kemi siguruar oksigjen dhe nuk kemi lejuar të vihet në rrezik shëndeti i pacientëve. Nuk mund të garantojmë se kemi stok, por në baza ditore po ia dalim me u furnizu. Edhe operatorët teknikë nuk kanë pasë në stoqet e tyre. Kjo është një dukuri që nuk na len të qetë, por duhet të jemi vigjilentë i gjithë stafi”, ka thënë ai.

Problemet me sigurimin e oksigjenit kanë vënë në panik familjarët, të cilët deri në orët e mëngjesit e kanë siguruar atë nëpërmjet rrugëve të tjera. “Mbrëmë djali i ka sjellë tri bombola pasi që nuk kanë pasë oksigjen. Doktoresha na tha që burri edhe dy orë ka oksigjen, tani duhet vetë të gjendemi disi. Në Deçan ka shkuar djali në 3 të natës, e ka blerë një bocë, e cila ka kushtuar 200 euro. Tri boca prej mbrëmjes së kaluar i kemi blerë. Djali ka shkuar me marrë rezervën për natën se po frikësohemi që s’kemi me pasë”, ka thënë një familjare, e cila ka dy javë që po kujdeset për bashkëshortin e saj të shtrirë në Klinikën Infektive të Spitalit të Gjilanit.

Edhe një tjetër paciente, e cila po kujdesej për nënën e saj, ka konfirmuar problemet me oksigjen në këtë spital. “Po ka pasë problem me oksigjen. U ndal oksigjeni, nuk kishte më. Nanën teme është dashur me e fut në aparat, por gjendja e saj është e mirë. I kisha bo apel ministrit Zemaj le ta furnizon Gjilanin, sepse nuk ka barna as oksigjen, krejt duhet me i ble vetë. Aparati ka qenë këtu, por oksigjenin e kanë ndalë rreth orës 9 e 30”, ka thënë ajo.

Teksa ekipi i KOHËS po qëndronte në hapësirat e Spitalit të Gjilanit ka parë bombolat e oksigjenit në veturat e familjarëve të pacientëve, të cilët po i mbanin rezerva ato për orët e natës.

Ndërsa në dy prej faturave, të cilat familjarët ia kanë treguar KOHËS, shihej se bombolat ishin blerë më 2 dhjetor dhe se kishin paguar një njërën faturë 215 euro, ndërsa në faturën tjetër 135 euro.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë është duke bërë të pamundurën që të sigurojë sasi të mjaftueshme të oksigjenit.

‘SHKSUK-ja është duke e bërë të pamundurën, edhe MSH-ja që të kemi mjaftueshëm furnizime dhe asnjë pacient të mos mbetet keq për ndonjë shërbim. Ajo çka më është raportuar është se furnizimet janë duke u bërë me vështirësi, por pacientët janë duke i marrë“, është shprehur Zemaj.

Dy spitale të tjera rajonale gjithashtu gjatë të mërkurës kanë pasur probleme në sigurimin e oksigjenit.

Drejtori i Spitalit të Mitrovicës, Sadik Fejza, përmes telefonit ka konfirmuar se kanë pasur probleme në sigurimin e oksigjenit, porse ia kanë dalë të sigurojnë sasi për dy-tri ditët e ardhshme.

Ndërsa drejtori i Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala, ka thënë se komisioni, i cili merret me Covid-19, ka njoftuar institucionet shëndetësore për vështirësitë me sigurimin e oksigjenit dhe më pas operatori ka siguruar sasinë e nevojshme.

Gjatë të enjtes para Ministrisë së Shëndetësisë disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë mbajtur një protestë simbolike, me pankarta në duar, ku kërkohej sigurimi i oksigjenit mjekësor për spitalet rajonale.