Arbëri

Maliqi: Personat me aftësi të kufizuara në Kosovë gjithmonë kanë jetuar në karantinë

Drejtori i HANDIKOS-it, Afrim Maliqi, ka thënë se personat me aftësi të kufizuara në Kosovë gjithmonë kanë jetuar në karantinë dhe jo vetëm në kohë pandemie. Sipas tij, në Kosovë kësaj kategorie i bëhen shumë diskriminime.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Maliqi në Express Intervistën në KTV ka thënë se për personat me aftësi të kufizuara ka shumë pak progres. Sipas tij, progresi duhet të përllogaritet në dekada dhe jo me vite.

Duke folur për pandeminë e koronavirusit, Maliqi ka thënë se masat e izolimit s’është që kanë ndikuar shumë te kjo kategori. Sipas tij, në Kosovë diskriminimi është aq i madh ndaj tyre sa që “janë mësuar me karantinë”.

“Personat me aftësi të kufizuara gjithmonë janë në karantinë. Ne jemi mësuar të jetojmë në karantinë. Shoqëria, rrethi, ia imponojnë në atë mënyrë sa që ai e pranon atë izolim. Institucioni është përgjegjës që t’ia hapë dyert, ta mbështesë e të sigurojë sistem referal që të ketë qasje multisektoriale, që fëmija, nëse lind apo pëson aksident, ai menjëherë të referohet tek institucionet mbështetëse për rehabilitim apo çka do dhe të integrohet. Ndërsa te ne, në mungesë të këtyre, mbyllen dhe e pranojnë atë izolim. Është diskriminim paragjykues që u bëhet. Ekziston edhe diskriminimi i ambientit të papërshtatshëm dhe ai institucional që s’i marrin në konsideratë të drejtat e tyre kur krijohen ligjet e kur i zbatojnë ato. Janë tri diskriminime që ndodhin”, ka thënë ndër tjerash ai.

Ai është shprehur kritik ndaj punës së institucioneve të Kosovës. Sipas tij, edhe deputetët, që sot po debatojnë për këtë çështje, shprehen “ekspertë të fushës”, por “realiteti është ndryshe”.

“Ka pas edhe para disa vitesh një diskutim për personat me aftësi të kufizuar, dhe edhe atëherë edhe sot të gjithë deputetët e kanë pranuar situatën e vështirë dhe sfidat me të cilat përballet kjo kategori e shoqërisë. Të shkonte mendja se këta janë ekspertë të fushës e se po e dinë situatën, por gjërat s’po ndodhin në realitet. Thënë më mirë s’ka progres. Nëse e masim me dekada ka përmirësime, por me vjet jo. Lëvizjet janë aq të ngadalshme, progres aq i ngadalshëm saqë tejet pak vërehet”, është shprehur Maliqi.

Sipas tij, në Kosovë ka nevojë edhe për plotësim të ligjeve për këtë kategori, ndërsa implementimi lë edhe më shumë për të dëshiruar.