Arbëri

Nismës “Kafe me gjyshin” i bashkohen 100 lokale në Tiranë

“Kafe me gjyshin” është nisma e re e bashkisë së Tiranës, të cilës i janë bashkuar 100 lokale në kryeqytet, transmeton TCH. Të moshuarit mund ta pinë kafen në disa lokale me vetëm 20 lekë.

“Jam shumë entuziast që po e filloj mëngjesin me Selimin dhe kolegët e tjerë, për këtë nismë të Bashkisë së Tiranës. Është një nismë e cila në fakt është filluar Edi Rama kur ka qenë kryetar bashkie, por u la në harresë 4 vjet. Sot e rikthejmë prapë dhe nisma quhet: “Kafe me gjyshin”, ose me gjyshen, dhe është një rrjet kafenesh në të gjithë Tiranën që nga ora 7 deri në orën 9 të mëngjesit, të cilat do ta shërbejnë kafen me 20 lekë, për të ndihmuar të gjithë ata që janë pensionistë”, tha Veliaj.

Veliaj theksoi gjithashtu se, ashtu si në vitin e parë, vëmendja kryesore iu kushtua më të vegjëlve të qytetit, këtë vit fokusi do të jenë më të moshuarit.

“Ashtu siç jemi fokusuar vitin e parë te fëmijët, te kopshtet, çerdhet, është shumë e rëndësishme që mos të harrojmë moshën e tretë. Mosha e tretë sot është një nga grupimet më aktive, më të përgjegjshme në shoqëri, me më shumë eksperiencë edhe besoj se kjo që bën bashkia me komunitetin, për t’i ardhur në ndihmë pensionistëve, është një mënyrë edhe ku tregojmë respekt, dëgjojmë ndonjë këshillë, ndonjëherë na tërhiqet dhe veshi për disa gjëra që dinë t’i bëjnë më mirë”, përfundoi kryetari i bashkisë.