Arbëri

Dosja voluminoze e akuzave ndaj Thaçit dhe të tjerëve, vendimi për konfirmim mbi 200 faqe

Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale kanë publikuar vendimin e aktakuzës së plotë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët akuzohen për krime lufte.

Vendimi për konfirmim të aktakuzës sipas dokumentit është marrë më 26 tetor të këtij viti, mirëpo është publikuar vetëm më 30 nëntor.

Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi ishin arrestuar dhe dërguar në Hagë në fillim të muajit nëntor. Aktakuza ndaj tyre është e përpiluar në 236 faqe.

Ndër të tjera, në pikat e aktakuzës, ndaj tyre rëndon aktakuza për krime, vrasje, tortura në lokacione si Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Volljakë, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Llapashticë, Majac, Zllash dhe të tjera.

Në këtë version të plotë, Dhomat e Specializuara kanë publikuar data, vende dhe raste specifike, sipas saj, të kryerjes së krimeve.

Në pikën 371 të kësaj aktakuze, thuhet se mes datave 25 dhe 26 korrik të vitit 1998, pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas një sulmi në Llapushnik, kishin arrestuar 30 persona dhe më pas i kishin dërguar në burgun e Llapushnikut.

"Me të arritur në një pyll, pjesëtarë të UÇK-së kanë liruar 20 të burgosurit nga ky grup prej 30 personash dhe kanë qëlluar ndaj 10 të tjerëve”, thuhet ndër të tjera në aktakuzë.

Në këtë aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latifi Gashi dhe Sabit Geci.

Pos kësaj, në bazë të konkluzioneve të nxjerra nga Dhomat e Specializuara, krime të tilla pretendohet se janë kryer në qendra të tjera të paraburgimit dhe në veri të Shqipërisë, kundër të paktën 392 individëve, nga prilli i 1998-s deri në gusht të 1999-s.