Arbëri

Kurti për 28 Nëntor uron që luftëtarët e UÇK-së të dalin ballëlartë nga gjyqet e reja e fort speciale

Foto: Alban Bujari / KOHA

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë ka uruar që luftëtarët e UÇK-së të dalin ballëlartë nga gjyqet e reja e fort speciale.

“Kruja, Vlora, Drenica. 28 Nëntori i Skënderbeut, i Ismail Qemalit, i Adem Jasharit dhe i shpalljes së UÇK-së. Nëse kthejmë sytë pas, çdo datë, çdo legjendë, çdo histori, çdo përkujtimore, çdo lapidar, çdo varr i paraardhësve tanë, çdo amanet e shpresë për bashkësinë, që ende nuk e ka gjetur përmbushjen, ngërthehet te 28 Nëntori. Çdo datë tjetër shënon një kohë në kalendar, 28 Nëntori na e shënon hapësirën. Atë të humburën, dhe atë të ruajturën që assesi nuk bën ta humbim”, ka thënë Kurti.

Ai thotë se sot është kryedita e shqiptarëve, por nuk do të festohet siç kemi bërë çdo vit.

“Pandemia, me goditjen e saj në jetët e të dashurve tanë e në shëndetin e njerëzve, me tronditjen që ia ka dhënë ekonomisë edhe ashtu të varfër të shumicës së familjeve shqiptare, mbase shumëkujt nuk ia krijon mundësitë për festë”, ka thënë Kurti. “Por le të jetë megjithatë një urim i gëzueshëm e një shpresë, që me punë e drejtësi të mund ta arrijmë një të ardhme më të mirë, si komb e shoqëri, si individë e komunitete, përfshi edhe minoritetet që jetojnë mes nesh, të cilët gjithnjë duhet t´i trajtojmë si të barabartë, miqësisht e pa hasmëri”.

Ai në veçanti ka uruar Rexhep Selimin, i cili aktualisht është i akuzuar nga Specialja.

“Sot dua të uroj ditën e Flamurit edhe për bashkëveprimtarin tonë, Rexhep Selimin, i cili bashkë me Heroin Mujë Krasniqi e Daut Haradinajn, në 28 Nëntor 1997, paraqiti për herë të parë publikisht UÇK-në. Uroj që ai dhe luftëtarët e tjerë të akuzuar të dalin ballëlartë e krenarë nga këto gjyqet më të reja e fort speciale”, ka shkruar ai.

Kurti ka shtuar se Kruja, Vlora, Drenica. Por edhe Saranda e Podujeva, Mitrovica e Bajram Curri, Shkodra e Shkupi, Manastiri e Ulqini, Gjakova e Dibra, Presheva e Korça, Lezha e Ohri, gjithë bregdeti, malësitë, fushat e rrafshet, diaspora, Prishtina e Tirana. Çdo vend ku flitet shqip, çdo fshat e lagje që sot krenohet me flamurin e vet, janë Atdheu ynë, që nuk i përket vetëm historisë, por mbi të gjitha i përket të ardhmes e atyre vajzave e djemve që ende nuk kanë lindur.

“Për ta duhet ta ndërtojmë një të tashme të drejtë, shtet që mbron e bashkon, qeverisje që lufton korrupsionin, shoqëri që përfshin pa dallim gjinie, pamjeje e prejardhjeje, ekonomi të qëndrueshme për përfitimin e rritjen e të gjithëve. Këto, bashkë me amanetet që na i kanë lënë dëshmorët, janë detyrat tona dhe interesi ynë. Gëzuar 28 Nëntorin 2020!”, ka shkruar Kurti.