Arbëri

Ahmeti: Qeveria duhet të bëjë atë që po e bën Prishtina

Descriptive Text

Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është shprehur kritik ndaj Qeverisë së Kosovës, e cila ka muaj që nuk ka arritur ta miratojë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, madje, edhe ndaj ish-ministrit të Financave, Besnik Bislimi, i cili ka propozuar ndihmë përmes kredive.

Ahmeti, përmes një reagimi në Facebook, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë atë që po bën Prishtina “shumëzuar për 100”.

“Bislo ja ke huq prapë vlla - se prej qeverisë as që po pres më!”, shkruan Ahmeti duke iu përgjigjur Besnik Bislimit nga Vetëvendosje, i cili sot gjatë ditës tha se “Hoti nuk ka tru për rimëkëmbje ekonomike”.

“Në këtë krizë qeveria i ka dy qëllime - 1. Me e kthy besimin në ekonomi - ku bizneset investojnë e qytetarët shpenzojnë (e kundërta e tkurrjes) - pra me e hek sikletin se ditë të zeza po na presin dhe 2. Me i mbrojt më të rrezikuarit mos me ra nën vijën e varfërisë”, shkruan Ahmeti.

Derisa i përgjigjet Bislimit, Ahmeti thotë se ideja e tij nuk është zgjidhje.

“Pra shteti duhet me e vendos vetën në këpucët e biznesit dhe të qytetarit. Në çfarë kushte një biznes do të investonte sot, dhe në çfarë kushtesh qytetari do të shpenzonte më shumë. Veç kur të mendoni ashtu, do ta kuptoni se çka po folni ju as për së afërmi nuk është zgjidhje. Zgjidhja e Keynesit për kërkesën agregate nuk ka të bëjë me mi gjet mu 900 euro kredi për me ble se ndoshta po shpëtojmë, po me kthimin e besimit në ekonomi për me shpenzu më shumë. Investimet qeveritare janë zero se i keni ndal, bizneset nuk guxojnë me investu se s’po presin send, dhe qytetarët nuk shpenzojnë se s’kanë. Ata që kanë i ruajnë për ditë të zeza. E kundërta e Keynesit!”, shkruan kreu i Prishtinës.

Sipas Ahmeti, Qeveria duhet të bëjë atë që po e bën Prishtina shumëzuar për 100.

“Grante për biznese, investime kapitale në max, dhe shpërndarje e parave për krejt sektorët. Qytetarët do të shpenzonin më shumë se do të kenë, bizneset do të investojnë përtej granteve sepse presin ditë më të mira dhe investimet kapitale do të ishin direkt rritje e kërkesës agregate pa shkuar në konsum të importeve. Është e thjeshtë, në Macro 101 në çdo shkollë. Si të majtë ashtu edhe të djathtë. E ke në çdo shtet serioz në botë sot. Mundësitë i kemi, veç edhe vullnetin e mendt”, thotë tutje Ahmeti.