Arbëri

Kryetari i Prishtinës nuk përmbushi premtimin për shkolla të reja

Pesë shkollave të premtuara nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, për kryeqytetin as themelet nuk u janë vënë.

Në 100 zotimet e tij, ai tha se në vitin 2018 do të fillonte ndërtimi i objekteve të reja shkollore në lagjet: “Mati 1”, “Kalabria”, “Sofalia”, “Arbëria” dhe “Veterniku”, raporton KOHA.

Një vit ka kaluar dhe, sipas një njoftimi të Ahmetit në Facebook, ende nuk janë kryer as procedurat e prokurimit. 

“Po fillon faza e dytë dhe e fundit e prokurimit për ndërtimin e vetëm tri shkollave, Mat, Sofali e Veternik, dhe e katërta, në Arbëri te Komuna e Re, do të ndërtohet pasi të bëhet vlerësimi i rrezatimit nga bombardimet e rezervuarëve të benzinës”, shkroi Ahmeti.

Qëndrim Arifi, hulumtues në organizatën që monitoron punën e Kuvendit, “INPO”, tha se Ahmeti me këtë njoftim vetëm e ka konfirmuar se nuk kanë mundur ta realizonin premtimin në kohën e paraparë.

“U premtua se në vitin 2018 do të përfundonte ndërrimi i shkollave por këto projekte nuk janë askund. Nuk kemi asnjë tullë në aspektin material në ato lokacione dhe për pasojë nxënësit do të presin dje gjatë për shkolla të reja. Madje këto procedura tenderuese do ta marrin ndoshta edhe vitin 2021 dhe ndërtimi i tyre do të merret shumë kohë”, tha Arifi.

Banorët e lagjes “Mati” kanë deklaruar se Ahmeti nuk është dashur të jepte premtime që nuk mund t’i realizonte.

Lagjja “Kalabria” asnjëherë nuk pati shkollë të veten.

Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje për atë se kur do të mund të ndërtoheshin këto shkolla dhe as për atë se deri ku ka shkuar procedura për ndërtimin edhe të 3 çerdheve të reja publike në Veternik, Kolovicë e Bardhosh, edhe këto, pjesë e 100 zotimeve të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.