Arbëri

LDK-ja thotë se kushtëzimet ulin mundësinë për marrëveshje për postin e presidentit

Ndonëse ende nuk e kanë diskutuar mes vete, partitë politike nga distanca kanë shprehur ambicie që kandidatë të tyre të zgjidhen në krye të shtetit.

Deri më tani, synimet për postin e presidentit haptazi i ka shprehur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Partia Demokratike.

Por, sipas kryetarit të partisë që udhëheq koalicionin qeverisës, Isa Mustafa, kushtëzimet paraprake të partive të tjera para takimit, zvogëlojnë mundësinë për marrëveshje për këtë post.

“Konsideroj se së pari duhet të takohemi të gjitha subjektet parlamentare me vullnet për të gjetur zgjidhje. Pa vënë kushte paraprake. Sepse, kushtëzimet e zvogëlojnë mundësinë e marrëveshjes për zgjedhjen e Presidentit. Ne si LDK nuk do të vëmë kushte. Jam i bindur se tani është më lehtë të arrihet marrëveshja, sesa pas zgjedhjeve eventuale, sepse as atëherë nuk do të kemi një shumicë të fuqishme në Kuvend. Zgjedhjet mbesin gjithnjë opsion i hapur kur mungon vullneti për zgjidhje”, ka thënë Mustafa.

Derisa nga AAK-ja nuk kanë pranuar të deklarohen për këtë çështje, PDK-ja thotë se nuk kanë votë për kandidatë të partive të tjera.

“Vota jonë është e kushtëzuar me propozimin që të dalë nga PDK-ja. A është anëtar i kryesisë a i PDK-së, a është një person tjetër i afërt me PDK-në kjo është temë tjetër që ende ne nuk e kemi diskutuar në organet e partisë”, ka deklaruar Avni Bytyqi, zëdhënës i PDK-së.

Kërkesat e subjekteve politike për të parin e shtetit, politologu Shkëlzen Maliqi, thotë se bëhen për shkak të prestigjit të pozitës e jo për shkak të rëndësisë në funksionimin e shtetit.

“Posti i Presidentit është bërë reprezentativ dhe këta politikanë që dojnë me pas famë edhe një farë posti që i fut në histori ndoshta nganjëherë e pretendojnë këtë post ose postet tjera ku ka ma shumë punë”, është shprehur Maliqi.

Në javët e para të muajit dhjetor, është paralajmëruar të mbahet takimi mes liderëve të partive, për të diskutuar lidhur me zhvillimet ne vend, pas konfirmimit të aktakuzave nga Specialja e dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi.

Deri më tani, pjesëmarrjen në këtë takim e ka refuzuar vetëm Lëvizja Vetëvendosje.