Arbëri

Para dorëheqjes, Thaçi e rehatoi në diplomaci edhe vajzën e Migjen Kelmendit

Hashim Thaçi nuk e ka braktisur Presidencën pa e rehatuar edhe një fëmijë politikani. Në fund të shtatorit, ai e ka riemëruar Tefta Kelmendi Merran përfaqësuese të Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë (ONF).

Ajo është e bija e Migjen Kelmendit, publicistit që në prag të zgjedhjeve nacionale të vitit të shkuar, i është bashkëngjitur Partisë Demokratike, subjekt politik të cilin e ka drejtuar Thaçi deri në kohën kur është bërë shef shteti, raporton KOHA.

Vendimin për këtë riemërim të Tefta Kelmendit e ka firmosur në fund të shtatorit, e me të e ka informuar edhe sekretaren e përgjithshme të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, Louise Mushikiwabo.

“Për njoftimin Tuaj, znj. Kelmendi Merran, në vitet e kaluara ka punuar në mënyrë të suksesshme për thellimin dhe avancimin e përfaqësimit të Republikës së Kosovës në ONF dhe në mënyrë specifike ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në forumet dhe ngjarjet kryesore të ONF-së në botë dhe në Kosovë”, thuhet në shkresën e Thaçit që mban datën 23 shtator. “Cilësitë e saj të jashtëzakonshme profesionale dhe personale dhe përkushtimi ndaj detyrës justifikojnë pritshmërinë që misionin e nderuar me të cilin ajo është ngarkuar, ta kryejë me respekt dhe dedikim të madh”, thuhet në njoftim.

Thaçi e ka bërë këtë riemërim, ndonëse një vendim i Ministrisë së Punëve të Jashtme i marrë në muajin mars, tregon se Kelmendi jashtëligjshëm ishte bërë pjesë e korit diplomatik, kur kishte marrë gradën “Ministër-Këshilltare”.

“Znj. Kelmendi nuk u është nënshtruar procedurave të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me nenin 20 të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm e as procedurave të rregullta në Shërbimin Civil, andaj Ministria më datë 30 qershor 2020 i përfundon të gjitha obligimet ligjore dhe financiare ndaj znj. Kelmendi”, thuhet në vendimin që e kishte firmosur Glauk Konjufca në cilësinë e kryediplomatit.

Ndryshe nga kjo, në vendimin e Thaçit obligohet Ministria e Punëve të Jashtme që ta paguajë Kelmendin.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, Konjufca ishte pasuar në detyrë nga Meliza Haradinaj, e cila ka aplikuar standarde të dyfishta me rastin e shqyrtimit të ligjshmërisë së vendimeve të Konjufcës për kthimin në Prishtinë të rreth 50 diplomatëve.

Ndonëse arsyeja e kthimit ishte qëndrimi i jashtëligjshëm i tyre në misione, Haradinaj ka vendosur që disave t’ua zgjasë qëndrimin e disa t’i kthejë në Ministri. Ata që kanë përfituar kryesisht kanë lidhje me njerëz të partive që tash janë në pushtet. Por, ka edhe të tjerë të afërt me njerëz të PDK-së që ndodhet në opozitë.

Pas dorëheqjes së Thaçit, ushtrimin e detyrës së presidentit e bën kryeparlamentarja Vjosa Osmani. Në kabinetin e saj kanë treguar se do ta vlerësojnë ligjshmërinë e riemërimit të Kelmendit.

Bekim Kupina, këshilltar për Media i ushtrueses së detyrës së Presidentes, ka treguar se llupa do të vihet edhe mbi këtë vendim.

“Këtë vendim nuk e ka marrë u.d. Presidentja, dr. Vjosa Osmani. Siç e kemi potencuar edhe më parë, deri tani asnjë propozim nga Qeveria nuk i ka ardhur u.d. Presidentes. Ne do ta shikojmë dokumentacionin përkatës për ta parë nëse një emërim i tillë është bërë nga ish-presidenti Thaçi”, ka thënë Kupina. “Procesit të vlerësimit të ligjshmërisë do t’i nënshtrohen të gjitha emërimet, por shumicën e dokumentacionit ne nuk e posedojmë, prandaj e kemi kërkuar nga Qeveria. Ne momentin qa ta marrim dokumentacionin përkatës, do ta shqyrtojmë”.

Në lidhje me këtë riemërim nuk kanë folur në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Përmes këtij institucioni, KOHA ka përcjellë pyetje edhe te Tefta Kelmendi, por kanë munguar përgjigjet, sikur që ka munguar një përgjigje edhe nga Migjen Kelmendi.

Dy ditë më parë, Osmani ka shfuqizuar katër dekrete të ish-presidentit Thaçi, me të cilat ishin emëruar konsujt e përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Presidenca nëpërmjet një informate për media, ka theksuar se, sa i përket tri rasteve të para, bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe Ambasada.

“Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte ekzekuaturë/pëlqim nga shteti pritës”, pati bërë të ditur Presidenca. “Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, u.d. Presidentja Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim ky i cili nuk ishte marrë për bazë nga Presidenti paraprak”.

Vetëm një ditë para këtij vendimi të Osmanit, KOHA pati raportuar për emërimin e Flakron Shalës, djalit të deputetit Haxhi Shala, në pozitën e konsullit të përgjithshëm në Pragë.

Ky është parë si pazar i mesnatës së 3 qershorit mes presidentit Thaçi, kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe deputetit Haxhi Shala, pas të cilit ky i fundit ndryshoi qëndrim, duke dhënë votën vendimtare për Qeverinë Hoti. Shala kishte paralajmëruar se do të votonte kundër Qeverisë Hoti, por pati ndërruar mendje pasi kishte pranuar në konak Thaçin e Haradinajn.