Arbëri

Osmani pezullon të gjitha konkurset në Presidencë, shkak dyshimet për parregullsi në rekrutim

Foto: Driton Paçarada / KD

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka marrë vendim për pezullimin e të gjitha konkurseve për rekrutim në kuadër të Zyrës së Presidentit të Kosovës.

Siç mëson KOHA, vendimi për pezullim ka ardhur pas dyshimeve për një proces të parregullt për pozitën “Zyrtar i lartë për agjendën në departamentin e protokollit” pranë Presidencës.

“Ndalohet shpallja e konkurseve të reja në kuadër të Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Osmani.

Konkursi për këtë pozitë është mbyllur dhe të enjten ka qenë në plan të nisin procedurat për përzgjedhjen e kandidatit.

Ky proces ka nisur në kohën e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Këshilltari për media i u.d të presidentes, Bekim Kupina, i ka thënë KOHËS se ky konkurs nuk ka marrë aprovimin e Osmanit, siç është e paraparë me ligj për secilin veprim në organizimin e brendshëm.

“Ligji për Presidentin kërkon që çdo veprim i organizimit të brendshëm duhet ta marrë aprovimin e presidentes. Ndaj u.d. e Presidentes, Vjosa Osmani nuk e ka aprovuar procedimin e këtij konkursi”, ka thënë ai.

Image