Arbëri

Qeveria s’ua paguan shtesat për muajt shtator dhe tetor 14 mijë punëtoreve

Qysh në korrik të vitit të kaluar, personelit shëndetësor që ballafaqohen direkt me COVID–19, i ishte premtuar nga Qeveria e Kosovës një shtesë prej 300 eurosh, krahas pagës mujore bazë.

Por, që nga atëherë, mantelbardhët janë paguar vetëm për muajt korrik e gusht, derisa ende janë në pritje të shtesave për shtatorin e dhe tetorin, raporton KOHA.

Vonesat erdhën, përkundër faktit se muajin e kaluar ekzekutivi, pas një takimi me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës, vendosën për kategorizim të kësaj pagese dhe përfshirjen në të edhe të stafit mbështetës.

“Kjo është shtesë në pagë, bazuar në ligjin Anti-covid, dhe është e vërtetë që janë vonuar për shtator dhe tetor, por duhet të dini se i kemi edhe disa punëtor teknikë të cilët nuk i kanë marrë për muajin korrik dhe gusht dhe deri kur është arritur marrëveshjen e cila nuk ishte perfekte, por megjithatë kemi arritur një kategorizim sepse Qeveria na ka kushtëzuar”, ka thënë Blerim Syla, kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë.

Syla ndër të tjera ka kritikuar zvogëlimin e kësaj pagese për mjekët dhe infermierët, por që sipas tij, një gjë e tillë ishte e pashmangshme.

Shtesën prej 100 eurosh të premtuar nga Qeveria s’e ka marrë as stafi mbështetës i qendrave mjekësore në vend.

Ankesat e sindikatave dhe punëtorëve shëndetësorë i ka përkrahur edhe kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Albena Reshitaj nga AAK-ja.

“Pajtohem me shqetësimet, mirëpo siç e dini ju ligji për rimëkëmbjen ekonomike është duke dështuar në miratim, pra jemi fajtor Kuvendi i Republikës i cili nuk arrin ta shtyjë përpara këtë ligj. Ky ligj ka diku mbi 100 milionë euro shtesë të cilat mund t'i shtohen fondit për rimëkëmbje ekonomike, dhe pastaj mundësia është që të krijohet hapësirë për ndihmë financiare shtesë për të gjitha kategoritë të cilat janë duke kontribuar në menaxhim të pandemisë”, ka deklaruar Albena Reshitaj, kryetare e Komisionit për Shëndetësi.

Ndërkohë në një përgjigje për KOHËN nga Ministria e Shëndetësisë, kanë njoftuar se pas vonesave dymujore, stafi shëndetësor dhe personeli mbështetës do t’i marrin shtesat në fund të këtij muaji.

“Listat për pagesën e shtesave për punonjësit shëndetësorë janë përcjellë në fund të javës që shkoi për pagesa, pasi disa institucioneve u është kërkuar t'i eliminojnë disa lëshime të bëra në to. Ekzekutimin e pagesave e bën thesari, sipas vendimit të Qeverisë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në fund të muajit të kaluar, pas ankesave të personelit mbështetës të spitaleve e qendrave ambulantore, për mospërfshirjen në këto shtesa, Qeveria e Kosovës kishte vendosur se që nga shtatori e tutje, mjekët do të marrin 250 euro në muaj, stafi i infermierëve 150, kurse personeli mbështetës 100.