Arbëri

Marrëveshja me Manastirin e Deçanit, rruga do të shfrytëzohet vetëm për trafik lokal [dokument]

Në pjesën tek Manastiri i Deçanit, rruga që çon për në Plavë nuk do ta ketë statusin e një rruge ndërkombëtare. Ajo do të jetë e limituar vetëm për trafikun lokal.

Për në Mal të e Zi, trafiku ndërkombëtar do të realizohet vetëm nëpërmjet një bajpasi që do të ndërtohet për t’i anashkaluar pronat që tashmë shteti ia ka njohur Manastirit.

E dhëna ndodhet në një “non-paper” të dakorduar nga KFOR-i italian me autoritetet e Manastirit, me të cilin janë pajtuar autoritetet qendrore të Kosovës dhe ato lokale në Deçan.

Të martën KOHA ka siguruar një kopje të këtij dokumenti, i cili prej dy javësh është mbajtur fshehtë nga autoritetet.

Në të theksohet se çështja e rrugës Deçan-Plavë do të zgjidhet në përputhje me Ligjin për zonat e veçanta të mbrojtura, bazuar në vendimet e Këshillit Implementues dhe Monitorues (IMC) dhe një procesi që synon të sinkronizojë punët në dy sisteme rrugësh: bajpasin dhe rrugët e linjës së gjelbër.

E, ecuria e realizimit të punimeve është përshkruar në pikën e dytë, nga gjithsej 5 sa ka dokumenti.

“Gjendja finale e këtij procesi të bazuar në arritshmëri është: Krijimi i bajpasit, si një rrugë ndërkombëtare dhe lidhje kryesore tokësore mes Deçanit dhe Plavës (seksioni A, B dhe C, në aneksin); Rehabilitimi/shtrimi i Rrugës së Gjelbër (Rrugës në drejtim të Gushavcit v.j.) dhe Rrugës Rino Perëndim (rrugën kah Manastiri v.j.) në shtigjet e tyre ekzistuese, duke mos e kaluar gjerësinë prej gjashtë metrash, si Rrugë Lokale e limituar për trafikun lokal, përfshirë lëvizjen e mallrave dhe kafshëve të domosdoshme për banorët dhe familjet që i përdorin bjeshkët e Luginës së Deçanit”, thuhet në pikën e dytë.

Mes të tjerash, në këtë pikë parashihet edhe zëvendësimi i urës së KFOR-it me një strukturë të përhershme në Rrugën e Gjelbër; për rrugën e Manastirit, instalimi i policëve të shtrirë nga “K1” deri tek Manastiri (aneksi C); instalimi i shtyllave dhe semaforëve që operohen nga KFOR-i në perëndim të rrugës së Manastirit, mes murit të Manastirit dhe kryqëzimit midis rrugës së Manastirit dhe Linjës së Gjelbër, sikurse në aneksin C. Në veçanti, kalimtarët, çiklistët dhe trafiku do të jenë në gjendje që të lëvizin lirshëm në rrugën e Manastirit dhe tutje në rrugën Rino Perëndim.

Është paraparë edhe një rend i kryerjes së punimeve.

“Rehabilitimi i rrugëve të Linjës së Gjelbër/Rino Perëndim dhe i bajpasit (seksioni A, B, C në aneksin B) do të kryhet në mënyrë të sinkronizuar, bazuar në përmbysjen e pikave të definuara në aneksin A”, thuhet në pikën e tretë. “Asnjë punë tjetër nuk mund të fillojë qoftë në Rrugën e Manastirit, Linjën e Gjelbër/Rino Perëndim apo në bajpas, derisa të mos përmbushet caku i mëparshëm”.

Aty është definuar edhe autoriteti që do ta ketë fjalën përfundimtare, në procesin e realizimit të punimeve.

“Personeli i KFOR-it do ta monitorojë progresin në të gjitha sistemet rrugore të lartpërmendura”, precizohet në pikën e katërt. “Me kërkesë të IMC-së, komandanti i KFOR-it do t’i referohet IMC-së rreth përparimit të punimeve dhe mbi arritjen e çdo caku. Bazuar në këtë vlerësim, IMC-ja do ta miratojë fillimin e zbatimit të cakut të ardhshëm, derisa punimet të kompletohen”.

Në pikën e fundit theksohet se dispozitat në këtë dokument që të zbatohen si një vendim i KPM-së nuk e paragjykojnë ndonjë rregullim të mëtejshëm në lidhje me procesin e normalizimit dhe do t’i paraqitet KUINT-it, BE-së dhe shefave të misionit të OSBE-së dhe të tjerëve për mbështetje dhe për marrjen parasysh të financimit.

Dokumenti përmban edhe Matricën e sinkronizimit të realizimit të pikave, veç e veç. Po kështu, si anekse janë bashkëngjitur hartat në të cilat janë vijëzuar rrugët dhe punët e tjera që do të kryhen rreth dhe brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Bazuar në to, rruga për në Gushafc do të kalojë nga rrjedha e ujit mineral. Por, shtrimi i saj nuk do të mund të bëhet pa leje nga Ministria e Mjedisit.

Dy javë më parë Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri Avdullah Hoti, në bashkëpunim me ambasadorin e Italisë, Nicola Orlando, dhe me mbështetje të komandantit të KFOR-it Michele Risi, kanë arritur marrëveshje për projektimin, ndërtimin dhe përdorimin e rrugëve, të cilat kalojnë nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Megjithëkëtë, bazuar në deklaratat e përfaqësuesve të Ambasadës dhe të atyre të KFOR-it, nuk ishte parë ndonjë rol i kryeministrit në këtë proces.

Marrëveshja ishte rezultat i diskutimeve të Ambasadës dhe përfaqësuesve të KFOR-it me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse në Manastirin e Deçanit.

Në gusht të këtij vitit, autoritetet në Kosovë janë pajtuar që të pezullojnë punimet në rrugën R108, e cila përshkon një pjesë të zonës së mbrojtur pranë Manastirit të Deçanit.

Ndërkaq Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim, sipas të cilit Manastirit të Deçanit i njihej e drejta e pronësisë për 24 hektarë tokë. Por, autoritetet komunale kishin refuzuar ta zbatonin, meqë e kualifikonin të padrejtë. Prandaj kishin vendosur ta realizonin rrugën, përkundër refuzimit të Manastirit.

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për zona të veçanta të mbrojtura. Bazuar në të, në zonat përfshinë Manastirin e Deçanit janë të ndaluara aktivitete të ndryshme, si ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve transite në zonat rurale; dhe ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo në ndotjen e mjedisit.

{gallery}