Arbëri

Refuzohet kërkesa që çoi në pezullim të tenderit për furnizim me oksigjen

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka refuzuar kërkesën e një operatori ekonomik për rishqyrtim të tenderit për furnizim me oksigjen.

“Medica” kishte kërkuar rishqyrtimin e tenderit për “furnizim me oksigjen medicinal nga lista esenciale për nevojat e SHSKUK-së”. Në këtë kërkesë, ky operator ekonomik kërkonte të ndryshohej pika e buxhetit të planifikuar “duke marrë parasysh edhe kontratat në të kaluarën dhe jo duke parashikuar buxhet sipas çmimeve vetëm të një operatori ekonomik”.

Megjithatë, në përgjigjen e zyrës së prokurimit të SHSKUK-së thuhet se kjo vlerë e parashikuar për këtë aktivitet të prokurimit s’mund të ndryshohet në këtë fazë.

Në kontratën e cila ishte e hapur në fillim të muajit nëntor dhe ishte 12-muajshe, afati i liferimit ishte 24 orë derisa furnizimi me oksigjen parashihej të bëhej në klinikat e QKUK-së dhe 7 spitalet rajonale. Vlera e këtij tenderi të ndarë në dy llote ishte 2.2 milionë euro.

Sipas ankesës së operatorit, buxheti i alokuar dhe sasitë e kontraktuara nuk janë në proporcion me nevojat dhe logjikën e kontraktimit.

Drejtori i kompanisë e cila aktualisht është duke e furnizuar QKUK-në, Medical Group, Skender Kutllovci përmes telefonit, i kishte thënë KOHËS të hënën se furnizimi me oksigjen është stabil, sidomos i atij të lëngshëm, por se ata nuk po arrijnë fizikisht t’i mbushin bombolat e oksigjenit bazuar në kërkesat që ka SHSKUK-ja.

Numri i lartë i pacientëve të cilët kanë nevojë të trajtohen me oksigjenoterapi ka rritur në mënyrë enorme shpenzimet e oksigjenit në klinikat dhe spitalet rajonale të SHSKUK-së.

Të hënën, pas ankesës së këtij operatori, SHSKUK-ja kishte pezulluar tenderin për 24 orë.

Image

Image