Arbëri

Rreth 720 mijë euro në muaj Telekomi do t’i derdhë në llogari të “Z-Mobile”

Rreth 720 mijë euro do të jetë shuma mujore që Telekomi i Kosovës do t’ia paguajë kompanisë “Z-Mobile” për të shlyer borxhin që ka ndaj kësaj kompanie. Edhe pse palët nuk kanë publikuar marrëveshjen e arritur një ditë më parë, e që ka hyrë në fuqi të martën, KOHA merr vesh se pagesat do të fillojnë më 15 janar të vitit të ardhshëm.

Burime të KOHËS brenda takimit që kanë zhvilluar gjatë së martës kanë bërë të ditur se gjatë negociatave “Z-Mobile” ka zbritur një shumë të borxhit prej rreth 3.7 milionë eurosh. Në këtë shumë është llogaritur fitimi që është dashur kjo kompani të ndante për Telekomin gjatë shfrytëzimit të numrave.

Se borxhi është zbritur e kanë pranuar edhe në Telekomin e Kosovës. Në një përgjigje me shkrim, zyrtarë të kësaj ndërmarrjeje kanë thënë se borxhi që duhet të paguhet është 17.2 milionë euro.

“Pas diskutimeve të shumta është arritur marrëveshja që borxhi, i cili rrjedh si pasojë e arbitrazhit dhe vërtetimit të tij edhe nga gjykata vendore është 17.2 milionë euro”, ka thënë Menduh Abazi, drejtor i Departamentit për marrëdhënie me publikun në Telekom.

Deri tani nga llogaritë e Telekomit janë tërhequr mbi 6 milionë euro pas bllokimit të llogarive për dy herë radhazi nga “Z-Mobile”.

Edhe pse llogaritë janë zhbllokuar të martën, punëtorët e Telekomit nuk i kanë marrë ende pagat.

“Menaxhmenti ka qenë i angazhuar maksimalisht edhe gjatë kohës sa i kemi pasur të bllokuara llogaritë, pra shitja ka funksionuar, shërbimet ju kanë ofruar konsumatorëve, por që rreziku që këto shërbime të bien ka ekzistuar në vazhdimësi dhe vazhdon të jetë, për shkak se ka kohë që nuk ka pasur mirëmbajtje”, ka thënë Abazi.

Por ai ka thënë se me angazhim edhe të Qeverisë pritet që brenda javës të paguhen edhe pagat e punonjësve të tyre.

Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë gjatë ditës së hënë, pas ndërmjetësimit të Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

“Kjo marrëveshje për shlyerjen e borxheve ndaj ‘Dardafon’ garanton funksionimin normal të korporatës pa pasur brengën se llogaritë mund të bllokohen dhe të zbrazen përsëri”, thuhet në njoftim të Telekomit të lëshuar të hënën pas arritjes së marrëveshjes.

Në bazë të marrëveshjes, Telekomi obligohet që brenda 24 muajve të fillojë shlyerjen e borxhit ndaj “Dardafonit”.

Bordi dhe menaxhmenti i Telekomit me përkrahje të Qeverisë pritet që të nisin implementimin e planit të rimëkëmbjes së Telekomit, ku brenda një afati 3-vjeçar pritet që të investohet në rrjet dhe në çështje të tjera që ndikojnë në rritjen e vlerës së korporatës dhe në stabilitetin financiar e teknik të kompanisë.

Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka thënë se kjo marrëveshje për zhbllokim të llogarive do të përcillet edhe nga një marrëveshje mirëkuptimi për subvencionim të kushtëzuar për investime në operacionet vitale mes Qeverisë së Kosovës dhe Telekomit.

“Me këtë marrëveshje mirëkuptimi, Telekomi ka marrë obligime për të investuar në teknologjinë e tyre, duke filluar nga implementimi i plotë i kodit shtetëror +383. Gjithashtu, në zotimet e Bordit të Telekomit kjo ndërmarrje do të punojë për të shkurtuar shpenzimet”, ka bërë të ditur Ministria.

Ndërkohë, mjetet që do t’i marrë subvencion nga Qeveria, Telekomi është i obliguar që t’i kthejë më pas.

Telekomit i janë bllokuar llogaritë më 26 tetor shkaku i borxhit mbi 27-milionësh që ka ndaj “Z-Mobile”, sipas vendimit të Arbitrazhit, e të njohur edhe nga Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit. Vendimi i Arbitrazhit ka ardhur pas mospajtimeve mes palëve kur “Z-Mobile” kishte kërkuar numeracione shtesë.