Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gruevski i shtrin dorën “armikut” Zaev: Bashkë kundër shqiptarëve

Aq e vështirë ka qenë për t’u pranuar nga Nikola Gruevski, ideja e një qeverie koalicioni mes LSDM-së në opozitë dhe partive shqiptare, sa e ka shtyrë udhëheqësin e VMRO-DPMNE-së t’i shtrijë dorën e bashkëpunimit armikut të vet të madh.

Agjencia maqedonase e lajmeve “MIA” raporton se Gruevski është ofruar ta mbështesë Zoran Zaevin për një qeveri të pakicës, nëse ai heq dorë nga kërkesat e platformës së Tiranës, për të cilat pretendon se do ta transformojnë tërësisht Maqedoninë dhe do të çojnë drejt ndarjes së vendit në linja etnike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Mesazhi i Gruevskit për Zaevin është se do të marrë 51 votat e VMRO-së për implementimin e programit të tij politik, e madje po të dojë mund edhe ta burgosë, nëse zotohet të mos prekë themelet e shtetit.

“Ne jemi të përgatitur të mbështesim LSDM-në në pushtet, si parti pakice, po rrëzoi ligjin e gjuhës, platformën e Tiranës dhe propozimin për të ripërvijuar e degraduar Maqedoninë. Nëse Zaevi këmbëngul kaq shumë që të jetë shef i ekzekutivit, atëherë do ta lëmë të zbatojë programin e tij, për sa kohë nuk sulmon shtetin dhe interesat kombëtare. Mund të na godasë neve po deshi, por jo shtetin. Do të dal vullnetar, nëse kjo do të jetë dëshira e tij, që të arrestohem, burgosem, sulmohem dhe VMRO-ja sërish do ta mbështesë qeverinë e tij. Le të më sulmojë mua, por jo themelet e shtetit, dhe këtë mund ta konsiderojë si një ofertë të hapur nga ana ime”, deklaroi Gruevski në një intervistë për televizionin “TV Sitel”.

LSDM-ja arriti javën e kaluar një kompromis me BDI-në dhe partitë e tjera shqiptare për ngritjen e shqipes në statusin e gjuhës zyrtare në të gjithë Maqedoninë, diçka që shkon përtej marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001.

Në këmbim, Zaev mori prej tyre premtimin e 61 firmave që i nevojiten për të marrë mandatin e krijimit të qeverisë, megjithatë Ali Ahmeti ende po mendohet nëse do të bashkohet në koalicion me LSDM-në, apo thjesht do ta mbështesë si qeveri pakice. VMRO-ja ka 51 vende në Parlament dhe nëse Zaev e pranon propozimin e saj, atëherë do të ketë 100 votat e nevojshme për të formuar ekzekutivin e ri.