Arbëri

Fitorja e Bidenit, “mundësi unike” për Ballkanin

Pas njoftimit për fitoren e projektuar të Joe Bidenit, flamuri amerikan u ngrit para ndërtesës së Bibliotekës Kombëtare në Sarajevë, bashkë me imazhin ikonik të para tri dekadave – demokrati i ulur krah presidentit të parë të Bosnjës, Alija Izetbegoviq, në Sarajevën e rrethuar.

“Bosnja kujton”, shkruante në krye të imazhit. “Uniteti mbi ndarjen”.

Kapitull i ri

Ministri i Jashtëm i Bosnjës, Bisera Turkoviq, ishte në mesin e liderëve të parë të huaj që do ta uronte Bidenin për fitoren, duke theksuar se “agim i ri po na ndrit”.

Për shumë boshnjakë, presidenca e Bidenit do të mund t’i jepte shtytje një kapitulli të ri për Bosnjën, 25 vjet pas marrëveshjes së paqes, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në Dayton, duke i dhënë fund luftës brutale në Bosnjë.

Prej prillit të vitit 1992 deri në dhjetor të vitit 1995, Bosnja ishte nën sulmet e forcave serbe e kroate, që synonin të krijonin Serbinë e Madhe dhe Kroacinë e Madhe.

OKB-ja dhe NATO-ja i vunë vendit embargo armësh qysh nga fillimi, por derisa forcat sulmuese po armatoseshin rëndë. Embargoja ishte një disavantazh i madh vetëm për boshnjakët e pambrojtur, që ishin zënë krejtësisht të papërgatitur nga lufta e befasishme.

Atëherë, senatori Biden kishte luajtur rol kyç në përpjekjen për ta tërhequr embargon e armëve dhe aktivisht bënte thirrje për ndërhyrje amerikane për t’u dhënë fund gjenocidit dhe spastrimit etnik të popullatës joserbe të Bosnjës.

Për qytetarët e rrethuar në Bosnjën e atëhershme mbështetja e tij ishte e mirëseardhur, sidomos në kohën kur shumëkush në bashkësinë ndërkombëtare po mbështeste ndarjen e vendit me popullsi të madhe myslimane.

Me masakrat që po kryheshin në krejt Bosnjën, duke kulmuar me gjencodin në Srebrenicë në korrikun e vitit 1995, zyrtarët britanikë flisnin për restaurimin “e dhimbshëm, por real” të Evropës së krishterë, që ishte zbuluar gjatë seancave të presidentit Bill Clinton pesëmbëdhjetë vjet më parë.

Njohja e zhvillimeve

Bideni ishte faktor kyç për të bindur SHBA-në dhe NATO-n që të ndërhynin, gjë që do të çonte pastaj në marrëveshjen e paqes në nëntorin e vitit 1995, të draftuar në bazën ajrore amerikane në Dayton të Ohios.

Ismail Çidiq, presidenti i Qendrës Boshnjake për Avokim, ka deklaruar për “Al-Jazeeran” se fitorja e Bidenit paraqet “mundësi potenciale” për Bosnjën.

“Megjithëse ai ishte demokrat, vazhdimisht kishte kundërshtuar Clintonin pse kishte mbajtur embargon e armëve kundër Bosnjës. Mund të thuhet me siguri se aktualisht nuk ka lider në botë që e njeh më mirë të kaluarën, sikurse edhe zhvillimet e tanishme në rajonin e Ballkanit, sidomos në Bosnjë”, ka deklaruar ai.

Për Reuf Bajroviqin, bashkëdrejtues i organizatës Aleanca SHBA-Evropë, fitorja e Bidenit “nuk mund të anashkalohet kur vjen puna te trajektorja e Bosnjës”.

“Sistemi boshnjak i qeverisjes varet prej OHR-së (Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë) – që është e varur drejtpërdrejt prej mbështetjes amerikane”, është shprehur Bajroviq për “Al-Jazeeran”.

“Administrata e Bidenit mund të bëjë një ndryshim shumë të madh në Bosnjë pikërisht për shkak të marrëveshjes së paqes së Daytonit, që ka krijuar mekanizma për përfshirje të suksesshme amerikane”, ka thënë ai. “Vullneti politik amerikan ishte përbërës kyç që mungonte. Dhe Bideni do të ndihmojë shumë në këtë pikë”, ka thënë Bajroviq.

“Mbështetja e palëkundur amerikane”

Destabiliteti politik pasoi tërheqjen e vërejtshme të politikës amerikane dhe amerikane nga rajoni gjatë viteve të kaluara.

Gjatë fushatës zgjedhore, Bideni ka shprehur edhe njëherë përkushtimin e tij për Bosnjën dhe Kosovën.

“Joe Bideni e di se Bosnjë-Hercegovina duhet t’ia dalë mbanë, i duhet mbështetja e palëkundur e Shteteve të Bashkuara”, është thënë në deklaratën e publikuar në tetor.

“Fatkeqësisht, nën presidentin Trump ndikimi amerikan në rajon është zbehur, derisa administrata e ka shikuar Bashkimin Evropian si armik strategjik dhe ka vënë në dyshim vlerën e aleancës së NATO-s”. “Joe Biden zotohet se gjithnjë do të dalë kundër urrejtjes dhe mbështet sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin multietnik të Bosnjë-Hercegovinës”, thuhet në dokumentin e fushatës për politikë të jashtme të Bidenit për rajonin.

Fjalia e fundit besohet se aludon tërthorazi kundër përpjekjes së re të nacionalistëve serbë dhe kroatë për ndarje të mëtejshme të Bosnjës, që ka nisur të shfaqet kohëve të fundit në media.

Goditje për mbështetësit e ndarjeve

Derisa avokatët e kufijve etnikë e panë administratën e Trumpit si mundësi për mbështetje të rrekjeve të tyre, diskutimi për ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe të Republikës Sërspka të Bosnjës, po merreshin seriozisht për herë të parë.

Nermin Bibiq, 28-vjeçarja me prejardhje boshnjake në Karolinën Veriore, i ka thënë “Al-Jazeeras” se për popullin e Bosnjës dhe të Kosovës, fitorja e Bidenit paraqet “shpresë se Shtetet e Bashkuara edhe njëherë do të kenë rol aktiv në rajonin e Ballkanit dhe se do t’i kundërvihen ndikimit të qeverisë ruse, që ka ashpërsuar luftën institucionale kundër qeverisë boshnjake nëpërmjet (partive nacionaliste kroate dhe serbe) SNSD-HDZ”.

Bosnja konsiderohet “fushëbetejë” e re ndërmjet NATO-s dhe Rusisë. Analistët paralajmërojnë se Rusia ka minuar stabilitetin e Bosnjës nëpërmjet politikanëve vendas për ta mbajtur vendin jashtë anëtarësimit në NATO.

Çidiq thotë se me qëllim që Bosnja të jetë më lart në agjendën e politikës së jashtme të Bidenit, diplomacia boshnjake duhet të jetë “më aktive për ta kapitulizuar administratën e re”.

Fuqizimi i mbështetjes më të madhe amerikane është i nevojshëm për reforma në Bosnjë, ka thënë ai, duke shtuar se vetëm kështu mund të përkrahet integrimi i vendit në NATO.

Reformimi i domosdoshëm i marrëveshjes së Daytonit

Alja Dekiq, drejtuese e Këshillit Konsultativ për Bosnjë-Hercegovinë, me seli në kryeqytetin amerikan, ka thënë se derisa SHBA-ja ka përçuar mesazhin e qartë se mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës, “është në duar të liderëve pro-Bosnjë në Bosnjë për t’u siguruar se gjendja do të mbetet kështu”.

“Besoj se administrata e Bidenit do të angazhohet më aktivisht, sidoqoftë është në duar të Bosnjës për t’i përvjelë mëngët dhe për të punuar. Joe Bideni nuk do t’ia heqë qafe Bosnjës korrupsionin, e as nuk do ta rregullojë sistemin e shëndetësisë, të arsimit të Bosnjës, ose të çrrënjosë patronazhin që po e shtrydh vendin”, është shprehur Delkiq.

“Demokracia nuk është sport spektatorësh dhe qytetarët e Bosnjës kanë mundësi që ta dëshmojnë se dëshirojnë ndryshim në zgjedhjet e ardhshme”.

Marrëveshja e paqes e Daytonit ishte dizajnuar për t’i dhënë fund luftës, por sistemi i saj i ndërlikuar i qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit në vijë etnike nuk ishte menduar si zgjidhje e përhershme dhe e qëndrueshme.

“Pavarësisht suksesit të madh të Daytonit, ai mundësoi një nivel të caktuar të mosfunksionimit”, ka thënë Delkiq, dhe tani 25 vjet pas nënshkrimit të ujdisë mund të ketë ardhur koha për t’i adresuar disa prej sfidave që mund t’ia hapin vendit rrugën për të përparuar.

“Bosnja ka një mundësi unike gjatë katër vjetëve të ardhshëm të presidencës së Bidenit për të akumuluar vullnet politik dhe për t’u bashkuar që ta reformojë Daytonin”.

“A do të ndodhë kjo? Koha do ta dëshmojë, por do të duhet vullneti i njerëzve që t’ua kërkojnë këtë përfaqësuesve të tyre të zgjedhur”.