Arbëri

Në rajon nis vaksinimi sezonal, vaksinat për Kosovën ende nuk janë nisur nga Koreja e Jugut

Rrugëtimi i vaksinave sezonale drejt Kosovës nuk ka nisur ende.

Ani pse pritej që këto vaksina të arrinin në mesin e nëntorit, një mundësi e tillë është pothuajse e pamundshme.

165 mijë vaksinat e blera përmes prokurimit të UNICEF-it, sipas kësaj organizate, janë përgatitur për transport, por nuk janë nisur ende. Ato do të sillen nga Koreja e Jugut, raporton KOHA.

“Në këtë moment, vaksinat kanë kaluar të gjitha kontrollet e sigurimit të cilësisë, kanë përmbushur standardet e OBSH-së dhe po bëhen gati të transportohen përmes vijës ajrore në Vjenë, të cilat më pas do të transportohen rrugës në Prishtinë. Kishte dy javë vonesë të vaksinave në fabrikën e Koresë se Jugut. Siç e dini, vaksinat kërkojnë kushte të caktuara për inspektimin e paradorëzimit dhe më pas dërgimin, në mënyrë që të ruhet cilësia e lartë. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me fabrikën dhe agjencinë e transportit për të marrë vaksinat në Prishtinë, sa më shpejt që është e mundur”, thuhet në përgjigjen e UNICEF-it.

Një vaksinë katërvalente, sipas kësaj organizate, i ka kushtuar Kosovës 5 dollarë.

Për dallim nga UNICEF-i, Ministria e Shëndetësisë përmes një përgjigjeje me shkrim, kanë thënë së vaksinat tashmë janë nisur dhe do të arrijnë gjatë këtij muaji.

Vaksinat, sipas njoftimeve nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë, janë nisur nga vendi i prodhimit dhe do të arrijnë në Kosovë brenda disa ditësh, brenda muajit nëntor.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të vaksinuar gjysmë milioni kosovarë, tani është pothuajse i pamundshëm të ndodhë.

Dy tenderë radhazi kanë dështuar për furnizim me rreth 300 mijë vaksina, derisa ende nuk ka një tender tjetër për këtë çështje.

Ata kanë thënë se nuk kanë hequr dorë për t’i blerë këto vaksina, megjithatë nuk kanë treguar se pse nuk kanë nisur procedurat e prokurimit për këtë vaksinë.

Përderisa në Kosovë, ende as nuk kanë arritur vaksinat, e për një pjesë të tyre ende nuk ka tender, shtetet e rajonit, tashmë kanë nisur vaksinimin.

Në faqen zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoni thuhet se vaksinimi ka nisur me datën 10 të këtij muaji, derisa në faqen zyrtare të Institutit të Shëndetësisë Publike në Shqipëri, thuhet se atje ka nisur edhe më herët, qysh nga 30 shtatori.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë është arsyetuar se fillimi i vaksinimit në vende të tjera është bërë për shkak së vendet e tjera kanë kontraktuar vaksina 3-valente, ndërsa Kosova që nga viti i kaluar kontrakton vaksina 4-valente, që është më e fuqishme ndaj viruseve sezonale në qarkullim.

Vaksinimi sezonal, sipas organizatave ndërkombëtare, duhet të fillojë nga mesi i tetorit.