Arbëri

Sot fillon zbatimi i masave që kufizojnë lëvizjen e qytetarëve

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Kryeministri Hoti të enjten ka vizituar Klinikën Infektive, duke premtuar mbështetje për punëtorët shëndetësorë. Përkrahje për Spitalin e Vushtrrisë ka premtuar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë një vizite atje. Kurse Qeveria ka miratuar masat e reja kundër përhapjes së koronavirusit, që hyjnë në fuqi sot dhe kufizojnë lëvizjen e qytetarëve në Prishtinë dhe në nëntë komuna të tjera nga ora 19:00 deri në orën 05:00

Tetë persona kanë vdekur nga koronavirusi në 24 orët e fundit, ndërsa janë regjistruar edhe 767 raste të reja. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHKP), ky numër i infektimeve del nga testimi i 2 mijë e 178 mostrave.

Rritja e numrit të rasteve të reja dhe ai i të hospitalizuarve ka bërë që kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, ta vizitojnë Klinikën Infektive. Hoti pas vizitës ka paralajmëruar mbështetje për stafin mjekësor. “Kjo është një situatë praktikisht e luftës, duke u përballur çdo ditë me një rrezik të madh, me viktima”, ka thënë Hoti. Ai, po ashtu, ka kërkuar që të rritet efikasiteti në ofrimin e shërbimeve në Qendrën Klinike Universitare dhe nëpër spitalet rajonale, me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të valës së dytë të pandemisë. Aty u ritheksua edhe nevoja për furnizim më të mirë me barna. “Jemi duke bërë përpjekje maksimale bashkë me stafin mjekësor që të përmirësojmë furnizimin me oksigjen, të adaptojmë klinikat me shtretër shtesë, të angazhojmë krejt stafin, mjekë nëpër fusha të ndryshme, që të bëjnë punën ekipore për t’iu dalë në ndihmë pacientëve”, ka shtuar kryeministri Hoti.

Përkrahje për Spitalin e Vushtrrisë ka premtuar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë një vizite atje. “Ne përshëndetëm edhe punën e menaxhmentit të ri, profesionistëve shëndetësorë të gjithë këtu që edhe në situatë jo të favorshme të trajtimit dhe të njohjes së virusit, e kanë bërë një përvojë pak më të mirë edhe në pjesën profesionale dhe praktike. Mbështetja e MSH-së dhe e SHSKUK-së nuk do të mungojë”, ka theksuar Zemaj.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe masat e reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Sipas masave që hyjnë në fuqi nga e premtja, në Prishtinë dhe nëntë komuna të tjera të Kosovës, nga ora 19:00 deri në orën 05:00 do të ketë kufizim të lëvizjes. Kurse aktiviteti ekonomik do të lejohet nga ora 05:00 deri në orën 18:00, 19:00 ose 20:00, varësisht në cilën “zonë” të vlerësuar të rrezikshmërisë ndodhet komuna. Komunat janë ndarë në tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër që ka rrezikshmërinë më të ulët. Komunat në “zonën e kuqe” janë: Prishtina, Podujeva, Mitrovica e Jugut, Peja, Gjakova, Gjilani dhe Ferizaj.