Arbëri

Shefja e prokurimit dorëhiqet pasi identifikoi tentativë për keqpërdorim në sistemin PRIMS

Rreth dy vjet pasi ishte caktuar ushtruese detyre, Vjollca Balaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e shefes së prokurimit në Policinë e Kosovës.

Burime të ndryshme ia kanë konfirmuar KOHËS dorëheqjen e saj.

Siç ka mësuar gazeta, Balaj të hënën e ka ofruar dorëheqjen tek ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Tendencë për të keqpërdorur dhe ndërhyrje në sistemin e brendshëm elektronik PRIMS, nëpërmjet të cilit funksionon Policia e Kosovës, siç kanë thënë burimet, Balaj ka identifikuar para së të ofronte dorëheqjen.

Një gjë e tillë ka përfunduar në organet e hetuesisë.

“Një urdhërpagesë e jashtëligjshme, me dokumente joadekuate është paraqitur në sistem. Tashmë ish-shefja e prokurimit e ka identifikuar dhe e ka denoncuar këtë keqpërdorim, si dhe ka paraqitur ndërhyrjet e paautorizuara në sistemin e brendshëm të Policisë së Kosovës”, ka thënë një burim.

Burime të KOHËS brenda Policisë së Kosovës kanë treguar se Balaj me të identifikuar keqpërdorimin e mundshëm e ka dërguar rastin tek drejtori Mehmeti dhe në adresë të Krimeve Ekonomike, që të merren me hetimin e mëtejshëm.

KOHA ka mësuar se për rastin është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

Burimet nga ky institucion kanë thënë së dy hetues të IPK-së tashmë kanë shkuar në Policinë e Kosovës dhe kanë filluar të merren me rastin.

“IPK-ja ka nisur hetimin, janë marrë disa shkresa, dhe rasti po vazhdon të hetohet”, ka thënë burimi.

Pas identifikimit dhe adresimit të rastit, Balaj ka ofruar dorëheqjen duke e arsyetuar, siç kanë thënë burimet, për shkak se menaxhmenti jo vetëm ky aktual, nuk i kanë adresuar ankesat dhe dyshimet e saj për tentativat e keqpërdorimit. Mehmeti ia ka aprovuar dorëheqjen.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, nuk i ka kthyer përgjigje KOHËS në pyetjet nëse ka pranuar dorëheqjen e Balajt, nëse janë përmendur në dorëheqjen e saj tendencat për presion në procese tenderuese, dhe çfarë ka bërë ai si drejtor për t’i adresuar ato.

KOHA e ka kontaktuar Balajn dhe ajo nuk e ka mohuar se ka ofruar dorëheqjen, porse ka kërkuar nga gazeta që pyetjet t’ia drejtojë Zyrës për Informim në Policinë e Kosovës.

“Ashtu siç e dini, pyetjet për zyrtarët që punojnë në Policinë e Kosovës duhet t’i adresoni përmes Zyrës për Informim”, ka thënë ajo.

Balaj ishte caktuar në pozitën e ushtrueses së detyrës rreth dy vjet më parë. Në këtë institucion, para së të bëhej Balaj udhëheqëse, ka pasur lëvizje të shumta.

Për një kohë shefe e Zyrës së Prokurimit në Policinë e Kosovës ishte Valmira Bllaca, e cila ishte transferuar në Ministrinë e Infrastrukturës në kohën kur ky institucion udhëhiqej nga Pal Lekaj i AAK-së. Bllaca kishte qenë pjesë e hetimeve për punën e saj në Policinë e Kosovës.