Arbëri

Biznes me punime diplomash, në shumë faqe interneti ofrohen me pagesë

Në institucionet e arsimit të lartë asnjëherë nuk ka qenë më lehtë për të diplomuar.

Mjafton të paguash nga 120 deri në 350 euro dhe brenda pak ditësh, e ke të gatshëm punimin e diplomës.

Studentëve që janë në prag të diplomimit, këtë mundësi po ua ofrojnë faqe të shumta në rrjete sociale, raporton KOHA.

Në faqen “Punime diplome” duhet paraprakisht të bësh rezervim për shkak të kërkesave të shumta. Drejtues të saj kanë konfirmuar për “Kohën”, se brenda një jave i pranojnë nga 50 deri në 100 kërkesa.

Në përgjigjen e tyre thuhet se janë një ekip prej 20 vetash që merren me punimet e të gjitha drejtimeve përveç atij të Gazetarisë.

E shuma që po e fitojnë brenda një muaji, sipas kësaj faqeje, shkon nga 10 deri në 15 mijë euro. Megjithatë, ata nuk po e konsiderojnë këtë veprimtari të kundërligjshme.

Studentë që kanë kontaktuar këtë faqe, i kanë thënë “Kohës” se ekipi “Punime diplome”, për 120 euro ua përgatit temën për nivelin Bachelor, kurse për 350 euro për nivelin master. Por ka raste kur bëjnë edhe zbritje.

“Nëse vendos vëllai me bë temën, ty ta bëjë me 100 euro, vëllait me 330 euro. Për sa më lajmëron se kam kërkesa, ta di”, i është përgjigjur kjo faqe një studenteje.

Sipas prorektores për mësim dhe çështje për studentë në UP, Mimoza Ibrani, deri më tani njësitë akademike nuk kanë raportuar ndonjë problem të kësaj natyre.

“Forma e tillë është e papranueshme, e dënueshme me rregulloret aktuale dhe mendoj që diçka që vlerësohet shumë është integriteti akademik dhe ndershmëria akademike. Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës është i përkushtuar t’i luftojë dukuritë e tilla joetike dhe posa të raportohen raste të tilla do të adresohen bazuar në rregullativën aktuale të cilën e kemi në fuqi”, ka thënë ajo.

Me shitjen e punimeve të diplomave janë të njoftuar edhe nga Parlamenti studentor përfaqësues të të cilit e cilësojnë këtë dukuri të papranueshme.

“Si parlament studentor zotohemi që do të njoftojmë të gjitha institucionet e Universitetit të Prishtinës dhe do të nxjerrim në takime tona konsultative këtë diskutim për ta zgjidhur këtë çështje njëherë e mirë”, ka thënë Fatlind Azizi, nënkryetar i Parlamentit studentor.

Në një përgjigje me shkrim, Policia e Kosovës ka thënë se vitin e kaluar Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion ka trajtuar këtë informatë dhe në koordinim me prokurorinë Themelore në Prishtinë ka arrestuar 2 persona me dyshimin se kanë kryer veprat penale “Mashtrim dhe Falsifikim dokumenti”.

Sipas Policisë, lënda është dërguar në prokurori.

E Prokuroria Themelore në një përgjigje të shkurtër, ka thënë se ndaj këtyre dy personave kanë pushuar hetimet pa dhënë më shumë detaje, derisa nuk është përgjigjur nëse ka nisur hetime për ndonjë rast të ri.