Arbëri

Borrelli e konsideron të papranueshme kërkesën e Thaçit rreth mandatit të Speciales

Foto: Alban Bujari / KD

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e konsideron të papranueshme kërkesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për ndryshime kushtetuese në lidhje me zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Qëndrimin e tij, Borrell e ka shprehur në përgjigjjen që u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me seli në Hagë, e cila po punon për mbledhjen e dokumentacionit në lidhje me kërkesën e Thaçit drejtuar Kuvendit të Kosovës.

Përgjigjja është botuar në uebfaqen e këtyre Dhomave.

Në përgjigjjen e tij, Borrell ka thënë se “kërkesa për ndryshime kushtetuese është e papranueshme sepse Thaçi nuk zhvilloi konsultime me shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) para se të paraqiste një kërkesë të tillë”.

Sipas parashtresës së Borrellit, një konsultë e tillë është e paraparë në shkëmbimin e letrave midis presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme, Cathrine Ashton, më 14 prill 2014.

Ky shkëmbim letrash i referohet mandatit të Misionit të BE-së në Kosovë dhe themelimit të "Gjykatës Speciale", dhe "Zyrës së Prokurorit të Specializuar" për çfarëdo procedure të iniciuar pas hetimit nga Task-Forca speciale ndërkombëtare, e cila në fillim hetoi pretendimet nga një raport i Këshillit të Evropës mbi krimet e pretenduara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Borrelli pretendon në parashtresë se ndryshimet kushtetuese të propozuara, kanë të bëjnë me procedurat gjyqësore nga ai hetim, domethënë, të vetë shkëmbimit të letrave të ratifikuara nga Kuvendi i Kosovës si një marrëveshje ndërkombëtare, e cila përcakton që çdo ndryshim ligjor duhet të bëhet në konsultim midis Presidentit dhe Shefit të EULEX-it.

Presidenti Thaçi i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozimin për ndryshimin e Kushtetutës, në fund të gushtit.

Në propozimin e tij, ai ka kërkuar që të ndryshohet neni i amendamentit kushtetues, ku thuhet se mandati i Gjykatës Speciale do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare.

Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Gjykatës Speciale “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Më 18 shtator, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka dërguar në Hagë kërkesën e Thaçit lidhur me mandatin e Gjykatës Speciale.

Sipas nenit 144 të Kushtetutës, ndryshimet kushtetuese miratohen me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Votimi bëhet pasi që kryetarja e Kuvendit t’i adresohet Kushtetueses për të vlerësuar paraprakisht ndryshimet e propozuara.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë në komentin e vet tha se ndryshimet e propozuara kushtetuese nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për vazhdimin e mandatit të Gjykatës Speciale, kanë për qëllim kryesor t’i zhbëjnë ose bëjnë të pavlefshme veprimet e Prokurorisë së Specializuar.

Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte kundër presidentit Hashim Thaçi, në muajin prill, por ende nuk është bërë e ditur nëse aktakuza është konfirmuar apo hedhur poshtë nga gjykatësi i procedurës paraprake. \ REL