Arbëri

PDK-ja propozon transport publik falas në Prishtinë, që të mbrohet ajri

Descriptive Text

Për zvogëlimin e ndotjes së ajrit në kryeqytet, Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë ka dalë me një propozim. Ata i kanë rekomanduar Komunës së Prishtinës që të ofrojë transport publik falas nga muaji nëntor deri në muajin mars, në mënyrë që të zvogëlohet përdorimi i veturave dhe të ketë ndotje më të vogël të ajrit. Sipas PDK-së, ky projekt është i testuar në shumë vende të botës dhe implementimi i tij do ta shkarkonte trafikun dhe do të ruante shëndetin dhe xhepin e qytetarëve. Asamblistja e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Suzana Vuqitërna - Kika ka thënë se partia e saj është e shqetësuar me udhëheqjen e Komunës, e cila asnjëherë nuk ka gjetur zgjidhje afatgjatë për ndotjen e ajrit.

“Partia Demokratike në Prishtinë duke e parë që qytetarët po i kanosen edhe një rreziku tjetër shëndetësor, ai i përhapjes së sëmundjeve respiratore, ka menduar një zgjidhje me efekt të menjëhershëm, por që është afatgjatë. Ne propozojmë që transporti publik nga muaji nëntor deri në muajin mars të jetë falas për të gjithë qytetarët e Prishtinës, gjithmonë duke respektuar rekomandimet e IKSHPK-së”, ka thënë ajo.

Ndërsa, nënkryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë, Ilirik Musliu, ka propozuar që kjo masë të vlejë për të gjitha linjat e trafikut urban dhe me të të nxiten qytetarët që të shfrytëzojnë transportin publik dhe jo veturat private.

“Grupi i asamblistëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës do të angazhohet që ky propozim të dërgohet në Kuvendin Komunal. Përmes kësaj konference shfrytëzoj rastin që të kërkojmë mbështetjen e secilit asamblist në Kuvendin Komunal dhe jo vetëm, gjithashtu kërkojmë mbështetje edhe të shoqërisë civile dhe shoqatave ekologjike”, ka shtuar Musliu.

Sipas matësit të Ambasadës amerikane në Prishtinë për cilësinë e ajrit, gjatë së dielës cilësia e tij në kryeqytet ka qenë në vlerat normale.