Arbëri

Qeveria me masa të reja kundër koronavirusit

Shtimi i rasteve me COVID-19 në Kosovë ka bërë që Qeveria të nxjerrë një sërë masash të reja. Të dielën, Qeveria ka miratuar vendimin për masat e veçanta për mbrojtjen nga COVID-19. Në një mbledhje të mbajtur online janë miratuar rekomandimet e Komitetit për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës emergjente me Coronavirus.

Sipas këtij vendimi, të gjithë qytetarët e huaj të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës (RKS), e që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të dëshmojnë nëpërmjet testit RT-PCR në Sars COV-2 që janë me rezultat negativ me COVID-19, në bazë të parimit të reciprocitetit.

Në këtë mbledhje Qeveria ka vendosur që transportuesit profesionistë (shoferët) nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për testin PCR negativ, me kusht që të respektohet protokolli për transport ndërkombëtar.

“Për transport të organizuar me autobus ose linjë të rregullt ndërkombëtare transite, nuk nevojitet testi RT-PCR negativ, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e RKS-së brenda 5 orësh. Shtetasit e huaj të cilët e kanë të rregulluar lejeqëndrimin e përkohshëm ose të përhershëm në RKS, gjatë hyrjes në RKS duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS. Në rast të mos paraqitjes së dëshmisë së testit negativ, shtetasit e huaj obligohen të vetizolohen për 7 ditë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Sipas këtij vendimi, diplomatët e huaj që janë akredituar në RKS, si dhe familjarët e tyre, nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për test RT-PCR negativ. Po ashtu, është paraparë që shtetasit e huaj të cilët kanë caktuar termin për mjekim në institucione shëndetësore në RKS, mund të hyjnë nëse paraqesin vërtetim për test TR-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS, si dhe vërtetimin për termin të caktuar të lëshuar nga spitali.

Ndërkaq, bartësit e dokumenteve personale të lëshuara nga RKS-ja, mirëpo me adresë vendbanimi në një shtet tjetër, gjatë hyrjes në RKS duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS.

“Të gjitha institucionet publike dhe private obligohen të menaxhojnë paraqitjen e stafit në punë në përputhje me Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID-19, dhe për këtë qëllim do të inspektohen nga organet kompetente. Të gjitha subjekteve që ofrojnë shërbime të gastronomisë, si restorantet, kafeteritë dhe të ngjashme në Republikën e Kosovës, u ndalohet funksionimi nga ora 21:00 deri në 05:00 , përveç shërbimeve “Merre me veti“ (Take away)”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Brenda orarit të lejuar lokalet mund të punojnë duke respektuar distancën prej 2 metrash hapësirë ndërmjet tavolinave, si dhe të mbajnë dezinfektues për duar në çdo tavolinë, të cilët mund të shfrytëzohen nga klientët. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjes në objekte publike dhe ato private.

Qeveria ka ndaluar grumbullimin e qytetarëve në numër prej më shumë se 5 personash në sheshe publike, parqe dhe në vende të tjera publike, përjashtimisht për rastet e lejuara me këtë vendim.

Gjithashtu, janë ndaluar të gjitha tubimet publike, përfshirë seminaret, punëtoritë, dasmat dhe ahengjet familjare, si dhe çfarëdo forme tjetër organizimi ku ka grumbullim të njerëzve, përjashtimisht për rastet e lejuara me këtë vendim.

“Ndalohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Lejohet therja e kafshëve në ambientet e autorizuara për therjen e kafshëve. Qytetarëve të Republikës së Kosovës u lejohet pjesëmarrja në ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në objektet fetare dhe jashtë tyre, në përputhje me Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID -19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjes në objekt”, theksohet në vendimin e Qeverisë.

Qeveria ka obliguar të gjitha institucionet publike dhe ato private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtoret e institucioneve dhe vizitorët. Po ashtu, ka obliguar të gjitha institucionet publike dhe private të vendosin rregulla me shenja të dukshme në çdo hyrje të objektit (përfshirë këtu ndalimin e hyrjes pa maska, obligimi për të respektuar distancën etj.), në përputhje me Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID -19.

Sipas këtij vendimi, lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS-së dhe komunave, teatrove, bibliotekave, Filarmonisë, galerive, ansambleve, Baletit, kinemave, qendrave rinore, muzeve, qendrave të kulturës me grupe, duke shfrytëzuar vetëm 30 % të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekt.

“Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; në hapësirat e mbyllura, gjatë stërvitjes mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa në organizimin e garave mund të marrin pjesë deri në 50 persona, bazuar në protokolle dhe udhëzime vendore dhe ndërkombëtare sportive, të bazuar në Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID -19. Matja e temperaturës është e detyrueshme gjatë hyrjeve në objekte të mbyllura sportive, si dhe në hapësirat e hapura sportive”, theksohet në vendim.

Me këtë vendim të Qeverisë, lejohen fitneset, si dhe pishinat e mbyllura për aktivitetet individuale rekreative duke shfrytëzuar vetëm 40 % të hapësirave, në përputhje me Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID -19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte. Ndërkohë, të gjitha subjektet që ofrojnë transport publik (autobusë, kombi, taksi) obligohen të punojnë me kapacitete të përgjysmuara të tyre sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin, për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo udhëtar.

Qeveria ka kërkuar nga të gjitha komunat të riaktivizojnë plotësisht shtabet e tyre lokale. Për ushtrim të veprimtarisë së çerdheve publike dhe atyre private në tërë territorin e Republikës së Kosovës, me vendimin e ri kërkohet vlerësimi dhe mbikëqyrja nga autoritetet komunale, sipas Manualit për mbrojte nga përhapja e COVID -19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte.

Po ashtu, parashihet që personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna të lirohen nga paraqitja në punë dhe punëdhënësit udhëzohen të krijojnë kushtet për angazhimin e tyre online nga shtëpia. Personave mbi moshën 65-vjeçare u lejohet dalja jashtë shtëpisë gjatë orarit 6:00- 10:00 dhe 16:00-19:00. Jashtë këtij orari kanë të drejtë të dalin vetëm për nevoja shëndetësore.

“Mësimi në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publike dhe private, organizohet në formën online. Ndërkaq provimet, puna praktike dhe laboratorike organizohen normalisht, por duke respektuar të gjitha rekomandimet e IKSHPK-së dhe MSH-së. Të gjitha qendrave tregtare në tërë territorin e Republikës së Kosovës u ndalohet veprimtaria nga ora 21:00 deri në orën 05:00”, theksohet në vendim.

Qeveria ka obliguar përgjegjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve private dhe të çfarëdo subjekti tjetër, të ndërmarrin masa të rrepta për parandalimin e përhapjes së infeksionit brenda institucioneve të tyre, duke bërë dezinfektim të vazhdueshëm dhe duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme.

Po ashtu, obligohen ekipet teknike mjekësore të QKMF-ve,(Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare) me mbështetjen e Policisë së Kosovës, të bëjnë kontrollin e udhëtarëve që hyjnë në pikat kufitare: Merdar, Vermicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe ANP “Adem Jashari ”.

Në kuadër të këtyre masave është paraparë që shtabet komunale për parandalimin e epidemisë, drejtoritë për shëndetësi dhe QKMF-të, do të mbikëqyrin deri në dy javë ecurinë e shëndetit të personave të infektuar dhe do t’i raportojnë në baza ditore në QRSHP- IKSHPK për aktivitetet e ndërmarra dhe për situatën në terren.

“Komunat udhëzohen të shtojnë përpjekjet për realizimin e shërbimeve shëndetësore shtëpiake për të sëmurët kronikë. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në përputhje me situatën e krijuar dhe sipas rekomandimeve të IKSHPK-së dhe MSH-së, udhëzohet të lirojë nga paraqitja e rregullt për qëllime të evidentimit të gjithë përfituesit e skemave dhe benificioneve që menaxhohen nga MPMS-ja”, ka njoftuar Qeveria.

E konviktet dhe Mensa e Studentëve do të punojnë duke respektuar rekomandimet e IKSHPK-së. Sipas Qeverisë, për të gjithë shkelësit e këtyre masave, përfshirë menaxhmentët e institucioneve publike dhe private që kanë për detyrë zbatimin e masave për mbrojtjen nga COVID-19, ndaj tyre organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore konform Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Në njoftim thuhet se ky vendim do të vlerësohet brenda dy javësh, varësisht nga situata epidemiologjike, dhe do të vlejë deri në një vendim tjetër.
 

24-orëshi i rëndë

Shtatë persona e kanë humbur betejën me virusin COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë. Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, nga 1318 testime të kryera, të dielën janë regjistruar edhe 337 raste të reja, duke e çuar numrin e rasteve aktive në 3880. Vetëm në Prishtinë janë konfirmuar 185 raste të reja.

Ndërkohë janë shëruar 91 persona të prekur me këtë virus. IKSHPK-ja ka njoftuar se numri total i rasteve pozitive që nga fillimi i pandemisë tashmë ka arritur në 20.179, derisa numri i vdekjeve ka shkuar në 688.

Por edhe përkundër shtimit të rasteve të reja, kryeministri Avdullah Hoti vlerëson se situata është nën kontroll dhe se Kosova ka shumë më pak të infektuar në krahasim me rajonin dhe Evropën. Përmes një statusi në Facebook ai ka bërë thirrje për respektim të masave për të parandaluar përhapjen e virusit.

“Institucionet tona po e bëjnë të pamundurën që ta mbajnë nën kontroll këtë situatë, sidomos stafi shëndetësor, prandaj t'i ndihmojmë ata. Ta bëjmë këtë për shëndetin tonë, të familjes dhe të afërmve tanë. Ta bëjmë për mirëqenien tonë. Trajektores së kuqe që ka filluar të ngrihet mund t'ia ndalim hovin vetëm duke i respektuar masat për parandalim të përhapjes së virusit”, ka shkruar ai.

Në mbledhjen e Komitetit për vlerësim dhe koordinim të situatës epidemiologjike rreth COVID-19, të shtunën, janë marrë disa masa të cilat do të hyjnë në fuqi nga e hëna. Në këtë mbledhje është vendosur që gastronomia dhe qendrat tregtare të jenë të mbyllura nga ora 21:00-05:00, e që pas kësaj kohe mund të punojnë vetëm me shërbime “merre me vete”.

Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që të lirohen nga puna personat që janë mbi moshën 60-vjeçare dhe ata me sëmundje klinike, si dhe i ka ndaluar punëtoritë dhe seminaret publike e ato private. Personave mbi moshën 65 do t’u lejohet dalja nga ora 06:00-10:00 dhe nga 16:00-19:00. Jashtë këtij orari mund të dalin vetëm për nevoja shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë ka vendosur, po ashtu, që edhe ligjëratat në universitete publike dhe ato private të kalojnë në mësimin vetëm online.

KOHA ka tentuar të dielën të marrë një qëndrim nga ministri Armend Zemaj dhe nga zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë përse këto masa nuk kanë hyrë menjëherë në fuqi, por nuk ka marrë përgjigje.

E përderisa numri i të prekurve me virus po shtohet edhe në institucione shkollore, ministri Ramë Likaj ka kërkuar që të respektohen masat e rekomanduara nga IKSHPK-ja, meqë, sipas tij, asnjë skenar tjetër nuk e zëvendëson pjesëmarrjen në shkollë.

“Rastet me COVID-19 po rriten përditë. Ju bëjmë thirrje nxënësve, prindërve, mësimdhënësve dhe stafit të shkollave që të respektojnë me përpikëri masat e rekomanduara nga MSh dhe IKShPK. Të punojmë të gjithë së bashku që të mbajmë në jetë skenarin A (mësim me pjesëmarrje në shkollë)”, ka shkruar Likaj në Facebook.

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala, e ka konfirmuar se për shkak të shtimit të rasteve në shkollat e Prishtinës tashmë 10 prej tyre kanë kaluar në skenarin C, mësim nga distanca. Sipas saj, deri tash janë të prekur 85 nxënës dhe 45 mësimdhënës.

"Shkollat që kanë shkuar në skenarin C janë: gjimnazi ‘Ahmet Gashi’, gjimnazi ‘Sami Frashëri’, shkolla e mjekësisë ‘Dr. Ali Sokoli’, shkollat fillore ‘Hasan Prishtina’, ‘Dardania’, ‘Faik Konica’, ‘Xhemail Mustafa’, ‘Anton Zako Çajupi’, ‘Azemi e Salihu’ dhe ‘Xhavit Ahmeti’”, ka thënë Shala, e cila ka treguar se është e infektuar me koronavirus.

E në institucionin parashkollor “Gëzimi Ynë” në Prishtinë, sipas saj, ka pasur raste pozitive, si pasojë dy klasa do të vijojnë mësimin nga distanca për dy javë.

Ditë më parë Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe Banka Botërore kanë bërë thirrje që shkollat nëpër botë të qëndrojnë të hapura gjatë pandemisë COVID-19.

Përmes një raporti këto organizata kanë theksuar se më shumë se 1.5 miliardë fëmijë janë prekur nga mbyllja e shkollave duke konsideruar se një situatë e tillë shkaktoi krizë globale të mësimit të paprecedent.

Të dielën janë shënuar shtatë vdekje nga COVID-19 dhe 337 të infektuar të rinj. Megjithatë, gjatë ditës kryeministri Hoti ka vlerësuar se situata është nën kontroll dhe se Kosova ka shumë më pak të infektuar në krahasim me rajonin dhe Evropën. E në mbrëmje Qeveria ka miratuar masat e reja kundër virusit