Arbëri

Nesër, Komiteti për pandeminë diskuton masat e reja parandaluese

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nesër do të mblidhet Komiteti për vlerësim dhe koordinim të situatës epidemiologjike rreth Covid-19, ku do t’i shqyrtojnë propozimet për masat e reja parandaluese.

Përmes një komunikate, Ministria e Shëndetësisë bën me dije se Komiteti do i shqyrtojë propozimet që kanë të bëjnë me kufizime të mundshme apo reduktime të veprimtarive në sektorë të ndryshëm, rritje të përkujdesit dhe institucione dhe grup-mosha të caktuara.

“Ministria e Shëndetësisë kërkon nga prindërit që të mos i ekspozojnë fëmijët e tyre në rreziqe për shëndetin duke marrë pjesë në ngjarje të ndryshme të paralajmëruara nëpër rrjete sociale si ato për Halloween, duke e ditur faktin se janë në fuqi vendimet që ndalojnë grumbullime të qytetarëve dhe organizime të ngjashme”, thuhet në komunikatën e MSH-së.

MSH-ja tutje ka kërkuar nga Policia e Kosovës dhe inspektorët përkatës që të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj shkelësve të vendimeve që lidhen me COVID-19, duke u bazuar në Ligjn për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Ndërsa, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në 24 orët e fundit ka regjistruar 418 raste të reja me koronavirus.