Arbëri

Emërohen borde të reja të përkohshme në Postë, Trepçë dhe Infrakos

Qeveria e Kosovës ka emëruar bordet e përkohshme në ndërmarrjet publike si Posta e Kosovës, Trepça dhe Infrakosi.

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuci, ka bërë prezantimin e anëtarëve të bordeve të përkohshme, duke thënë se ata emërohen pas kalimit të afatit prej 6 muajsh të bordeve të përkohshme.

Për Bordin e Trepçës, janë votuar Sylejman Hyseni kryesues, kurse anëtarë: Shyqiri Sadiku, Esat Peci, Safet Sadiku dhe anëtari tjetër vjen nga punëtorët.

Në Postën e Kosovës janë emëruar Leonard Shabani kryesues, anëtarë Fadil Aliu, Elda Maloku dhe Ujkan Kamberi.

E Infrakosi do të udhëhiqet nga: Kryesues Brahim Selimaj, anëtarë Sehat Thaçi, Avni Kajdomqaj dhe Sanja Lazareviq.

Këto ndërmarrje ishin duke vepruar deri më tash po ashtu me borde të përkohshme.

Në këtë mbledhje, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim edhe për aprovimin e statuteve të Universitetit Publik të Gjilanit "Kadri Zeka", atij të Gjakovës "Fehmi Agani", të Mitrovicës "Isa Boletini" dhe Universitetit Publik te Shkencave të Aplikuara të Ferizajt.

Po ashtu, Qeveria ka marrë vendim me të cilin ndalohet organizimi i punëtorive jashtë Kosovës. Vendimi vlen për të gjitha ministritë dhe agjencitë.

Në mbledhje të qeverisë, është marrë edhe vendimi për themelimin e Grupit Punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës. \ kp