Arbëri

Mustafa zbulon pas 5 vjetësh letrën e BE-së me zotimin se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka zbuluar një letër që e kishte marrë më 24 gusht 2015, një ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes mbi Parimet e Përgjithshme të Asociacionit, nga tashmë ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Frederica Mogherini, ku ishte siguruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

Mustafa thotë se nuk ka dashur ta zbulojë këtë letër, edhe pse siç tha ai përmes një shkrimi në Facebook, është akuzuar shpesh dhe pabazë.

Letrën e ka nxjerr pak orë pas takimit me përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe në kohën kur Kosovës po i bëhet presion për themelimin e Asociacionit.

“Në konekstin e diskutimit tonë për themelimin e Asociacioni/ Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, dua të konfirmoj se është kuptim i BE-së, se Asociaciono/Bashkësia - në harmoni me Marrëveshjen e Parë dhe ligjet e Kosovës - nuk do të konstituohet si nivel i tretë i qeverisjes dhe nuk do ketë fuqi ekzekutive. BE, në ushtrimin e rolit të tij si fascilitator i dialogut Prishtinë-Beograd do të vazhdojë të monitorojë respektimin dhe implementimin nga të dy palët të Marrëveshjes së Parë dhe marrëveshjeve të tjera të arritura në dialog”, thuhet në letrën e Mogherinit nisur Mustafës.

Mustafa thotë se këtë letër ia ka prezantuar edhe Lajçakut në takimin që pati sot në mëngjes.

“Dua të theksoj se këtë letër nuk e kam bërë publike në kohën kur akuzohesha nga VV-ja dhe partitë e tjera të opozitës për këtë marrëveshje, sepse ato akuza i kam konsideruar të pabaza dhe vetëm si një kauzë politike kundër Qeverisë që e drejtoja”, ka thënë Mustafa.

Në të vërtetë, serbët insistojnë për një asociacion me kompetenca ekzekutive, ndërkohë që Kosova po e konsideron si temë të mbyllur.

Me aktgjykimin e Kushtetueses, 23 pika të Marrëveshjes mbi Parimet e Përgjithshme të Asociacionit janë shpallur anti-kushtetuese.

Letra e Mogherinit e postuar në Facebook nga Isa Mustafa

Image