Arbëri

Rektori i UP-së akuzon Këshillin Drejtues për lejim të ndërhyrjeve politike

Për më shumë se 3 orë i janë dashur Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës që të votojë 3 prorektorë të Universitetit të Prishtinës të propozuar nga rektori, Naser Sahiti.

Ata që kanë marrë votat e Këshillit për prorektorë janë: Mihane Berisha, Albulena Blakaj e Kurtesh Sherifi. Ndërkaq votat e mjaftueshme nuk i ka marrë i propozuari tjetër prorektor, Naser Zabeli, raporton KOHA.

Zgjatjen e këtij procesi rektori Sahiti e ka cilësuar si ndërhyrje në punën e Universitetit dhe tentim të politizimit të tij, por nuk ka treguar se nga cila parti.

Sipas tij, është për keqardhje që Këshilli nuk e ka votuar njërin prej prorektorëve më cilësorë në UP.

“Definitivisht është e qartë që shtyrja është bërë për shkak të ndërhyrjeve politike, të cilat unë nuk i kam pranuar dhe kjo ka ndikuar që të ketë këso shtyrjeje duke provuar që mos të gjejnë rrugën e ta imponojnë një kandidat ose një tjetër. Unë iu kam kërkuar me kohë të gjithëve që zgjedhja e prorektorëve duhet të kryhet sa më herët, sepse ka shumë punë në UP”, ka thënë Sahiti.

Ai ka paralajmëruar që do të shikojnë mundësinë e ndryshimit të Statutit, në mënyrë që zgjedhja e prorektorëve të mos bëhet pjesë e pazareve dhe ndërhyrjeve nga jashtë.

Akuzat për ndërhyrje politike në zgjedhjen e prorektorëve i ka mohuar kryesuesi i Këshillit Drejtues, Ujkan Bajra. Sipas tij, votimi ka qenë i fshehtë dhe secili anëtar i Këshillit ka votuar sipas bindjes së tij.

“Votimi ka qenë i fshehtë, mbledhja ka zgjatur për arsye se pa prezencën e rektorit edhe pjesës tjetër administrative është konsultuar, ka diskutuar për propozimet që i ka dhënë rektori, ndoshta në mënyrë më të detajizume, dhe gjithsecili ka votuar mbi gjykimin e vet”, ka thënë Bajra.

Javën e kaluar Bordi i UP-së nga 5 propozimet për prorektorë e ka votuar vetëm Mimoza Ibranin, kurse 4 të tjerët jo. Për këtë pati edhe reagime nga organizata ORCA, sipas së cilës kjo është tentativë për ndërhyrje në UP nga ana e Këshillit Drejtues dhe ministrit të Arsimit, Ramë Likaj.