Arbëri

Kosova në pritje të takimit të radhës në Bruksel, Asociacionin e quan temë të mbyllur

Në pritje të caktimit të datës për takimin e radhës me Serbinë është Qeveria e Kosovës.

Kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është dashur të takohen më 28 shtator në Bruksel, takim ky i cili është shtyrë për një kohë të pacaktuar.

Këshilltari i kryeministrit Hoti ka thënë se dialogu do të vazhdojë “në momentin që krijohen rrethanat”, raporton KOHA.

“Dialogu do të vazhdojë në momentin që krijohen rrethanat. Ne jemi në pritje të ftesës nga Brukseli zyrtar për takimin e radhës. Nuk besoj që bashkësia ndërkombëtare do të lejojë vonesa në diskutimet mes dy shteteve. Këtë proces do ta përmbyllim vetëm me njohje reciproke. Derisa sa i përket asociacionit ashtu siç kemi deklaruar më parë ajo çështje është e mbyllur. Kosova do të marrë përsipër obligimet që ka nga marrëveshja e nënshkruar më 2013, 2015 dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetues”, ka thënë Xhavit Beqiri, këshilltar i jashtëm i kryeministrit.

Një nga arsyet e shtyrjes së takimit të 28 shtatorit është çështja e Asociacionit, për të cilën Serbia është duke insistuar ta diskutojë në Bruksel.

Sipas analistit gjerman, Bodo Weber, presidenti serb do ta shfrytëzojë këtë çështje për të fajësuar Kosovën për bllokimin e procesit, siç ka bërë edhe më parë.

“Më duket se Vuçiq ka shtyrë temën e Asociacionit të bëjë atë që ka bërë për vite me radhë në dialogun politik, të komplikojë procesin për ta vonuar arritjen në pikën përfundimtare, duke llogaritur në mungesën e zgjuarsisë politike në Prishtinë, se pala kosovare do të refuzojë diskutimin mbi Asociacionin, duke përfunduar kështu në fajësimin e saj për bllokimin e ndodhur. Bashkimi Evropian duhet t’i nxisë Beogradin dhe Prishtinën të zgjidhin të gjitha çështjet e hapura në diskutimet në Bruksel, pra të gjitha ato që duhet të jenë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”, është shprehur Weber.

Në anën tjetër, Demush Shasha nga Instituti EPIK thotë se fajtor për ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është mosuniteti politik në vend.

Derisa, sipas tij, dy shtetet duhet të shfrytëzojnë gatishmërinë e Bashkimit Evropian për këtë proces.

Lidhur me takimin e radhës, KOHA ka pyetur edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian, por ata nuk janë përgjigjur. Një qëndrim lidhur me procesin e dialogut, televizioni ka provuar ta marrë edhe nga koordinatori i dialogut me Serbinë, Skënder Hyseni, por ai nuk ka pranuar të deklarohet.