Arbëri

Studentët në kërkim të diplomës që mund të mos jetë e vlefshme për tregun e punës

Po e plotësojnë provimin, suksesi potencial i të cilit mund t’ua garantojë statusin e studentit e nga aty të përgatiten për tregun e punës.

Studentët të cilët ua kanë mësyrë programeve të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, e që të premten e patën provimin pranues, kanë mendime të ndryshme nëse do t’ua garantojë diploma universitare një vend të punës, raporton KOHA.

Për njohës të arsimit e ekonomisë, në Kosovë ka mungesë të dialogut mes institucioneve për të kuptuar nevojat e tregut të punës, të cilat pastaj do të mund të përshtatshin me studimet në universitete.

Rinor Qehaja nga Instituti Edguard madje edhe thotë se shumë programe hapen për të akomoduar individë brenda universitetit e jo e për të njëjtat ka nevojë tregu i punës.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, shton se shumë me rëndësi është që të aplikohet “mësimi për tërë jetën” dhe t’u jepet studentëve mundësi më e madhe për punë praktike.

Përveç Fakultetit të Filologjisë, provimi pranues në UP të premten u zhvillua edhe në Fakultetin e Ndërtimtarisë, Arkitekturës dhe atë të Edukimit Fizik e Sportit.

Universiteti i Prishtinës më 21 shtator ka hapur konkursin për pranimin e 6 mijë e 638 studentëve të rinj të rregullt në vitin e parë të studimeve themelore.