Arbëri

Zemaj: Kosova më mirë se vendet e rajonit në menaxhim të pandemisë

Edhe pse numri i të vdekurve si pasojë e koronavirusit ka arritur në 625, rënia e rasteve të reja kohëve të fundit, sipas ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj, tregon se Kosova është më mirë se vendet e rajonit dhe vende të tjera me sistem të avancuar shëndetësor, sa i përket menaxhimit të pandemisë.

Në një postim në Facebook, Zemaj ka thënë se këtë qëndrim ua ka theksuar edhe donatorëve e partnerëve ndërkombëtarë.

“Se Kosova është më mirë se vendet e rajonit e madje edhe më mirë se vendet me sistem shëndetësor më të avansuar, sa i përket menaxhimit të pandemisë, ua thash edhe donatorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në takimin e rregullt javor, të mbajtur në mënyrë virtuale”, ka thënë ai ndër tjerash, duke shtuar se arka e shtetit s’ka shpenzuar fare për menaxhim të pandemisë. Sipas tij, “ky rrugëtim është bërë me ndihmën e donatorëve”.

Deri tash në Kosovë janë regjistruar 15520 raste pozitive me COVID-19. Aktualisht janë 1475 raste aktive.

Për dallim nga Kosova, Shqipëria si vend në rajon ka 380 të vdekur e 13391 raste pozitive, ndërsa janë 5382 raste aktive.

Maqedonia ka 17674 raste pozitive, e 729 vdekje. Ka 2303 raste aktive.

Në Mal të Zi janë 3558 raste aktive nga 10441 raste pozitive të regjistruara deri tash. 163 persona kanë humbur betejën me COVID-19.