Arbëri

Kurti thotë se LVV-ja do t’i mbronte ushtarët e UÇK-së nga Specialja, i reagon PDK-ja

Arrestimet e veteranëve të UÇK-së për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk janë zhvillime të reja. Këto, sipas tij, janë parashikuar nga Vetëvendosje pesë vjet më parë, kur, siç ka thënë, PDK-ja dhe LDK-ja votuan për formimin e kësaj gjykate.

Në mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të Vetëvendosjes, që është mbajtur të dielën, ai ka thënë se presidenti Hashim Thaçi i kishte quajtur tradhtarë ata që janë kundër gjykatës.

“Presidenti thoshte se ata që janë kundër janë tradhtar, sepse ka shpresuar se gjykata i merr luftëtarët e tjerë e jo atë dhe mendjen e ka pas se si të bëhet president për vete, e jo çka do të ndodhë me UÇK-në. Sot nuk mund ta ndalim atë gjykatë”, ka thënë Kurti.

Kurti shtoi se vetëm Vetëvendosje mund t’i mbrojë veteranët, pasi, sipas tij, “PDK-ja nuk i mbron, sepse e ka hallin e pasurive të veta, siç i ka quajtur të paligjshme, e LDK-ja nuk i mbron pasi asisoj e ka drejtimin politik.

Por ndaj kësaj deklarate ka reaguar zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi, i cili në një postim në Facebook pretendon se kryetari i VV-së, Albin Kurti, është urryes i UÇK-së dhe mbështetës i Gjykatës Speciale.

Sipas tij, Kurti dhe pjesa më e madhe e partisë së tij e shohin Gjykatën Speciale si mundësi për të bërë spastrime politike në Kosovë.

Edhe zëdhënësi i kësaj partie, Avni Bytyçi, i ka reaguar Kurtit, duke thënë se Gjykatën Speciale nuk e ka themeluar PDK-ja, por ishte iniciativë e një ish-zyrtari të shërbimit rus në Këshillin e Evropës, me ndihmën e Dick Martit dhe te Karla Del Pontes, duke u mbështetur në dëshmi të fabrikuar nga Serbia.

Kurti, në këtë paraqitje foli edhe për tema të tjera, duke akuzuar LDK-në dhe PDK-në se po u frikësohen zgjedhjeve të reja në nivel vendi, por edhe nëpër komuna. Ai tha se fakt për këtë është edhe mungesa e zgjedhjeve në Podujevë. Mes tjerash akuzoi kryeministrin Hoti dhe ministrin Zemaj se kanë dështuar në menaxhimin e pandemisë.