Arbëri

Nesër në Parlamentin Europian diskutohet për dhunën ndaj grave në Kosovë

Komiteti i Parlamentit Evropian për të Drejtat e Grave dhe Barazinë Gjinore (FEMM) dhe Nënkomiteti për të Drejtat e Njeriut (DROI) kanë kërkuar nga Nicole Farnsworth, udhëheqëse e hulumtimeve në Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) që të flasë në "shkëmbimin e përbashkët të pikëpamjeve mbi dhunën ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi", që do të mbahet me 8 qershor 2017, në Bruksel.

Siç e dimë, ekzistojnë disa çështje që kanë të bëjnë me dhunën ndaj grave. Prandaj, pas konsultimeve me aktivistë të të drejtave të grave në të gjithë Europën Juglindore, ajo planifikon të flasë për katër çështje kryesore: 1) Reagimi i dobët institucional kundrejt dhunës ndaj grave; 2) Zvogëlimin e hapësirës dhe të fondeve për organizatat për të drejtat e grave në rajon, që pengon aftësinë e tyre për të ofruar shërbime cilësore; 3) Nënvlerësimin e të drejtave të shëndetit seksual dhe riprodhues; dhe 4) Drejtësia dhe dëmshpërblimet për dhunën seksuale të kryer gjatë luftës.

“Politikanët (vendorë dhe të huaj) kanë tendencë t'i japin përparësi të ashtuquajturave "çështje politike të nivelit të lartë" kundrejt çështjeve që prekin jetën e përditshme të njerëzve, siç është dhuna në familje dhe ngacmimi seksual", shkruan Farnsworth në fjalimin e saj. "Aktivistët kanë argumentuar gjatë se paqja nuk është thjesht mungesa e luftës. Sa janë të dobishëm kufijtë ose ushtria, nëse nuk keni siguri brenda shtëpisë tuaj, në shkollën tuaj, vendin tuaj të punës, në rrugën tuaj; ose nëse vuani ende nga efektet e dhunës seksuale të kryer gjatë luftës, sepse nuk është bërë asnjë kërkim-falje, nuk është vënë drejtësia në vend?"

Farnsworth do të kërkojë mbështetjen e vazhdueshme politike dhe financiare të BE-së për adresimin e dhunës kundër grave në rajon, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e takimit dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me organizatat e të drejtave të grave.

Shkëmbimi i pikëpamjeve mund të ndiqet drejtëpërdrejtë (livestream) në: http://www.europarl.europa.eu/activities/committees/homeCom.do?language=EN&body=DROI, me 8 qershor, prej orës 10:00 deri në orën 11:30.

Farnsworth, gjatë qëndrimit në Bruksel, do të marrë pjesë në disa takime të tjera, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për barazinë gjinore në Kosovë dhe situatën e grave në mënyrë më specifike. Kjo përfshin pjesëmarrjen në ngjarjet e konferencës së Lobit Evropian të Grave në lidhje me: “Të zëshme & të bashkuara për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave” (Loud & United to end Violence against women and girls).

Kjo iniciativë është përkrahur nga Fondacioni Kvinna till Kvinna, i financuar nga Suedia.