Arbëri

Rektori i ri i UP-së, Naser Sahiti akuzon Marjan Demën për bllokim të proceseve

Foto: Alban Bujari / KOHA

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, i zgjedhur në gusht të këtij viti po e akuzon rektorin e deritashëm, Marjan Dema për bllokim të një numri të madh të proceseve në UP.

Sahiti i ka drejtuar një letër Demës ku i ka kërkuar që brenda mandatit të tij, deri në fund të shtatorit, të thërras mbledhjen e Senatit dhe të trajtohen lëndët e mbetura. Dy nga çështjet kryesore që sipas tij, kërkojnë trajtim të menjëhershëm janë konkursi për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe konkursi për staf të rregullt akademik.

“Një numër i madh i këtyre lëndëve janë duke pritur që një kohë të gjatë prandaj nuk ka asnjë arsye për mos trajtimin e tyre. Në anën tjetër, disa kërkesa nëse nuk trajtohen deri më 30 shtator do të jetë e pamundur formalisht të trajtohen pas kësaj date. Tranzicioni i suksesshëm nga njëri menaxhment në tjetrin, përfshirë menaxhmentet nëpër dekanate nuk nënkupton vetëm dorëzimin formal të zyrave por para së gjithash kryerjen me përgjegjësi të të gjitha obligimeve që lidhen me pozitën e caktuar deri në momentin e dorëzimit të mandatit”, thuhet në letrën e Sahitit që e ka siguruar “Koha” drejtuar rektorit Dema.

Rektori Sahiti në një prononcim për “Kohën”, ka deklaruar se nëse menaxhmenti aktual nuk procedon me konkurset e bllokuara, do ti drejtohet Këshillit të Etikës brenda UP-së. Këto çështje sipas tij, është dashur të trajtoheshin në prill dhe maj të këtij viti në mënyrë që viti akademik të mos nis me probleme.

“Këto punë na i kanë lënë neve edhe pse është e pamundur ti kryejmë tash sepse procedurat e konkursit zgjasin së paku 3 muaj prandaj edhe nëse ditën e parë marrim vendim të shpallim konkurs nuk mund ti përfundojmë procedurat para dhjetorit. Kjo nënkupton që komplet vitin e ardhshëm nuk kemi mundësi të angazhojmë bashkëpunëtorë të jashtëm që i bie se 20 deri në 30 për qind e mësimit do të afektohet nga një mospërgjegjësi e menaxhmentit aktual”, ka shtuar Sahiti.

Sipas tij, një tjetër problem është edhe konkursi për mësimdhënës të rregullt që është stërzgjatur pa nevojë. Bllokimi i këtyre konkurseve sipas tij, nuk është bërë si pasojë e pandemisë por se menaxhmenti aktual ka qenë neglizhent.

“Edhe pse fillimisht rektori kishte premtuar se do të mbajë mbledhje për ti trajtuar lëndët e mbetura ai nuk po do ta organizojë një gjë të tillë. Si duket Dema po do ta qojë mandatin deri në fund, pa u prishur me njerëz e miq nëpër pozita pa u brengosur që neve po na i lë këto barriera për të mos mundur të nisim vitin akademik normalisht. Çka është më e çuditshmja, rektori Dema në vend se të angazhohet për këto procese me rëndësi, ai fton ceremoni që ta zbulojë portretin e tij, pra e promovon veten siç e ka ftuar për të premten”, ka theksuar Sahiti.

Ai ka bërë të ditur se për shkak të këtyre problemeve, më 1 tetor nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e pranim dorëzimit të detyrës nga rektori i deritashëm Marjan Dema.

Rreth kritikave të rektorit Naser Sahiti, “Koha”, ka kërkuar të marrë një qëndrim nga rektori në detyrë, Marjan Dema mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkaq, Rektorati në një përgjigje me shkrim ka theksuar se menaxhmenti është duke punuar intensivisht dhe me korrektësi për të finalizuar të gjitha proceset e shumta të nisura gjatë këtij mandati.

“Si rrjedhojë, nesër, me datë 25 shtator 2020, UP do të mbajë mbledhjen e Kolegjiumit të Dekanëve”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit.

Megjithatë sipas rektorit Sahiti, kolegjiumi i dekanëve ka vetëm karakter këshillëdhënës dhe nuk mund të marrë vendime për çështjet të cilat kanë mbetur pezull si zgjedhja e stafin akademik të rregullt dhe angazhimi i bashkëpunëtorëve të jashtëm.

Naser Sahiti është zgjedhur rektor i UP-së më 19 gusht të këtij viti. Sipas statutit të UP-së, mandati i rektorit është 4 vjeçar. Deri më 30 shtator rektor do të jetë, Marjan Dema i cili ishte zgjedhur në vitin 2016.