Arbëri

Kosova kushtëzon Serbinë për Asociacionin: Zbatimi, pas njohjes reciproke

Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të rikthehet në fokus të dialogut Kosovë-Serbi këtë të enjte, porse autoritetet kosovare insistojnë se kjo temë “do të jetë vetëm pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet të dyjave vendeve”.

Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti thotë se Kosova do të kushtëzojë zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë Serbe me njohjen reciproke. Ai e konfirmoi këtë qëndrim për Radion Evropa e Lirë, para se ekipet e ekspertëve të të dyjave vendeve të takohen të enjten në Bruksel, ku do të diskutojnë “për aranzhimet rreth komuniteteve joshumicë dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronave”.

Beqiri insiston se Kosova nuk do të nënshkruajë marrëveshje të veçanta për çështje specifike.

“Qëndrimi zyrtar i delegacionit të Kosovës dhe i kryeministrit po ashtu, është se asnjë marrëveshje, sado e vogël, për çështje që duken të parëndësishme, nuk mund të arrihet, nëse nuk arrihet marrëveshja finale, ligjërisht e obligueshme, gjithëpërfshirëse, ku do të përfshihet edhe njohja”, deklaroi Beqiri për REL.

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më 2015, të dyja vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kishin arritur një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni, porse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që parimet për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Megjithatë, Kushtetuesja përcakton se parimet mund të harmonizohen me akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Kjo çështje ka nxitur debate të ashpra e protesta masive në Kosovë.

Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke folur në një debat në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian tha se Kosova do ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të vitit 2015. Pas kthimit në Prishtinë, ai tha se “zbatimi i marrëveshjes do të bëhet në përputhje me secilën shkronjë të Kushtetutës”.

Sidoqoftë, mbetet e paqartë se si do të procedohet tutje, kur kihet parasysh se një ekip menaxhues në gusht të 2018-tës, i përbërë nga katër anëtarë serbë – Vinka Radosavljeviq, Dejan Radojkoviq, Igor Kallamar dhe Svetisllav Durleviq – kishte dorëzuar në Bruksel një draft-statut për funksionalizmin e Asociacionit, i cili nuk u diskutua asnjëherë dhe mbeti në sirtarët e BE-së. Ky ekip menaxhues, i emëruar zyrtarisht nga Qeveria e Kosovës, kishte autonomi të plotë në punën e vet.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një deklarimi për media në Prishtinë më 15 shtator, u shpreh kritik për rihapjen e temës së Asociacionit në dialogun me Serbinë, duke e cilësuar këtë gjë si “kthim prapa për Kosovën”.

Presidenti Thaçi deklaroi se takimi i së enjtes, në mes të ekipeve të ekspertëve, është i rrezikshëm duke shtuar se askush nuk ka të drejtë që të arrijë një marrëveshje të re për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

"Rihapja e çështjes së Asociacionit përsëri në Bruksel, pas një dekade, është rikthim prapa për Kosovën. Është goditje ndaj shtetësisë së Kosovës dhe cenim i sovranitetit e me rrezik për krijimin e 'Republikës Serbe në Kosovë'. Për diçka të tillë mendoj se Parlamenti i Kosovës duhet të jetë shumë i vëmendshëm. Këtë të drejtë nuk e ka askush që të ulet të diskutojë as të negociojë e lëre të pretendojë të arrijë ndonjë marrëveshje të re për Asociacionin", u shpreh Thaçi.

Të plotë mund ta lexoni në REL