Arbëri

Grenelli gazetarit të CNN-së: Nuk raportuat rreth nominimit për Nobel për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Foto: Reuters

I dërguari i posaçëm i administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, e ka akuzuar korrespondentin në Shtëpinë e Bardhë të rrjetit amerikan CNN se mediumi i tij nuk kishte raportuar rreth nominimit të tri qeverive, asaj të SHBA-së, Kosovës dhe Serbisë për Nobel të Paqes, për marrëveshjen e arritur në Ëashington për normalizimin ekonomik.

“Punoni për një medium që nuk ka raportuar për nominimin për Çmimin Nobel të Paqes për marrëveshjen Kosovë-Serbi në uebfaqen e juaj”, i është përgjigjur Grenelli postimit në Tëitter të korrespondentit Jeremy Diamond, duke e akuzuar për “mungesë besueshmërie”.
Shkak i këtij reagimi të Grenellit ka qenë një status i Diamondit.

“Trumpi pretendon se ishin ‘dhjetëra mijëra njerëz në rrugë’ duke e pritur veturën e tij në shtegun drejt tubimit. Është gënjeshtër. Isha pjesë e veturave që përcollën Trumpin. Kishte kalimtarë nëpër pika të ndryshme në rrugën 45-minutëshe. Por jo dhjetëra mijëra. Madje as mijëra”, ka shkruar Diamond.

Deputeti suedez, Magnus Jacobsson, të premten i ka nominuar Qeveritë e Kosovës, SHBA-së dhe e Serbisë për Nobel.

“Kam nominuar Qeverinë e SHBA-së, Kosovës dhe Serbisë për çmimin Nobel për Paqe për punën e përbashkët për zhvillimin e paqes dhe ekonomisë, përmes marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë. Tregtia dhe komunikimet janë blloqe të rëndësishme ndërtimi për paqen”, kishte shkruar ai në Tëitter.