Arbëri

Shqipëria e gatshme ta ndihmojë Kosovën gjatë reformës së sistemit të drejtësisë

Descriptive Text

Ministri i Drejtësisë, Selim Selim është takuar me homologen e tij, ministren Etilda Gjonaj, në Shqipëri, me të cilën diskutuan për bashkëpunimin bilateral në fushën e drejtësisë mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Gjonaj shprehu gatishmërinë që përmes ekspertëve të Republikës së Shqipërisë të ndihmohet Kosova gjatë reformës së sistemit të drejtësisë.

Siç njofton kumtesa nga MD-ja, Selimi dhe Gjonaj, gjatë këtij takimi diskutuan për ecurinë e reformave në drejtësi, agjendën legjislative, nismat për fuqizimin e luftës kundër korrupsionit në të dyja vendet, forcimin e bashkëpunimit juridik, si dhe këmbimin e përvojave në aspektet pozitive për të përfituar sa më shumë nga praktikat e mira të njëra-tjetrës për konsolidimin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi.

“Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë sa i përket fushës së bashkëpunimit juridik tashmë në fushën penale kanë të nënshkruara marrëveshje për Ekstradim, ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale, si dhe transferimin e personave të dënuar. Pra fusha e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve sa i përket çështjeve penale është e mbuluar, dhe funksionon përgjithësisht mirë”, deklaroi ministri Selimi.

Ata diskutuan edhe për marrëveshjen për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare, e cila do të nënshkruhet në mbledhjen e dy qeverive që do të mbahet së shpejti, adresimin e llogaridhënies dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Kemi folur edhe për një nga betejat më të rëndësishme, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si themel për shtetet tona dhe imazhin e tyre në rrjedhat globale, për të cilën u pajtuam se duhet qasje e guximshme dhe ndërtimi i politikave të reja, për të dëshmuar një vullnet të ri për të ecur përpara, me synimin për të hapur perspektiva të reja për zhvillimin e vendeve tona dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në familjen evropiane”, tha ministri Selimi.