Arbëri

Haziri shpreson në implementim të marrëveshjeve edhe pas zgjedhjeve në SHBA

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili është edhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka mbështetur Marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë në Washington me ndërmjetësim të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Ai ka thënë se nënshkrimi i Marrëveshjes përveç që është progres politik është edhe progres ekonomik ku sipas tij përfiton Ballkani. Haziri shpreson se këto marrëveshje do të implementohen edhe pas zgjedhjeve të cilat do të mbahen në SHBA.

“Marrëveshja përmbledh angazhime të përbashkëta në kuadër të mekanizimit edhe të Berlinit dhe dialogut të Brukselit dhe natyrisht është arrit të maksimalizohet kërkesa jonë politike mu përfshi në atë dokument politik. Kosova përveç që ka fituar një njohje të rëndësishme siç është Izraeli përfiton edhe ekonomikisht, dhe në shpinë të Kosovës fiton i gjithë Ballkani Perëndimor. Po shoh skeptikët dhe ata që po gjenerojnë frikë në Kosovë po vazhdojnë ta kundërshtojnë pa asnjë arsye, vetëm që është arritur një rezultat i Washingtonit dhe shpresoj se do të jetë i implementueshëm edhe mbas zgjedhjeve në SHBA”, ka thënë ai.

Haziri gjatë takimit me Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu, në konferencën për shtyp ka deklaruar qëllimi i partive opozitare është rrëzimi i Qeverisë që drejtohet nga kryeministri Hoti mirëpo sipas tij është detyrë e LDK-së që të punojë për stabilitetin e Qeverisë. Lëvizja Vetëvendosje është duke kërkuar nënshkrimin e deputetëve nga subjektet e tjera politike me qëllim rrëzimin e Qeverisë. Haziri ka deklaruar se VV edhe në të kaluarën ka bashkëpunuar me subjekte të tjera politike për rrëzimin e Qeverive.

“Nuk është hera e parë që Vetëvendosja ka bashkëpunuar me PDK-në edhe kur e ka rrëzuar Qeverinë e Isa Mustafës në vitin 2017. Besoj që është çështje e partive politike. Në vlerësimin tim kabineti po e kryen punën e vet në mënyrën më të mirë dhe stabiliteti qeverisës varet shumë nga angazhimi politik në Kuvendin e Republikës. Angazhimi jonë është me vendos stabilitet kurse angazhimi i opozitës mund të jetë për me rrëzu këtë stabilitet”, ka thënë ai.

kandidati për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Partia Demokratike, Joe Biden ka qenë i rezervuar në komente sa i përket marrëveshjeve të cilat janë arritur në Shtëpinë e Bardhë. Ai është shprehur se Kosova duhet të trajtohet si shtet i pavarur dhe jo si pjesë e Serbisë. Kandidati Demokrat, Joe Biden dhe rivali i tij nga Partia Republikane, Donald Tump do të përballen në mes veti ku njëra nga pika e diskutimit është edhe kursi i politikës së jashtme amerikane. Zgjedhjet në Amerikë do të mbahen në nëntor të këtij viti. Presidenti aktual i SHBA-së, Donald Trump insiston se në mandatin e tij ka arritur suksese të jashtëzakonshme në politikën e jashtme dhe si sukses ka radhitur nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ndërmjet Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Ndërkaq sukses tjetër që administrata e Donald Trump e numëron është edhe nënshkrimi i marrëveshjeve ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë.

Mirëpo marrëveshjet e arritura i ka kundërshtuar ish kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili është zotuar se këto marrëveshje nuk do të implementohen me ardhjen e tij në krye të Qeverisë së Kosovës ngase sipas tij marrëveshjet shkelin Kushtetutën e Kosovës. Ai ishte ankuar se ish ambasadori i Gjermanisë, Richard Grenell i cili ka ndërmjetësuar marrëveshjet e nënshkruara në Uashington kishte rol në rrëzimin e Qeverisë së tij.

Kryeministri Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq janë pajtuar që Kosova të pauzojë nga kërkesat për anëtarësim në organizata kurse Serbia do të ndal fushatën e çnjohjeve. Palët janë zotuar se nuk do të përdorin pajisje 5G të furnizuara nga shitës të pabesueshëm dhe ato pajisje do të largoheshin nëse janë të pranishme. Poashtu Kosova ka pranuar që të jetë pjesë e një tregu Ballkanik i cili është i njohur edhe si “Minishingen” e cila është iniciativë e Shqipërisë dhe Serbisë. Palët janë pajtuar që liqeni i Ujmanit të ketë përdorim të përbashkët.