Arbëri

MASH-i ul shifrat e nxënësve që s’ndoqën mësimin online nga 32 mijë në 9 mijë

“Rreth 32 mijë nxënës s’kanë qenë të përfshirë në mësimin në distancë, që është numër i konsiderueshëm”. Kështu kishte deklaruar 3 muaj më parë ministri Likaj gjatë një raportimi në Kuvend, kur ishte pyetur nga anëtarët e komisionit për numrin e nxënësve që nuk kanë ndjekur mësim nga distanca. Mirëpo tash institucioni që ai e drejton e ka ulur këtë shifër në gati trefish më pak.

MASH-i përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se nuk është e saktë që 32 mijë nxënës ishin jashtë procesit mësimor, porse bëhet fjalë vetëm për 9.070 pa dhënë më shumë sqarime, raporton KOHA.

Sipas ekspertëve të arsimit, ndryshimi i këtij numri flet për një manipulim nga Ministria.

Njohësi i çështjeve të arsimit Argjend Osmani vlerëson se MASH-i duhet të këtë të dhëna të sakta, meqë bëhet fjalë për një problem serioz.

Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se asnjë nga institucionet shkollore nuk ka organizuar mësim plotësues për nxënësit që ishin jashtë procesit mësimor të mbajtur nga distanca.

Megjithatë, MASH-i në përgjigjen me shkrim ka theksuar se bashkë me drejtoritë komunale të arsimit kanë marrë masat e nevojshme dhe se këta nxënës kanë marrë mësim plotësues.

“Ministri Likaj me rastin e marrjes së detyrës është angazhuar në vlerësimin e procesit të mësimit online dhe në bashkëpunim me DKA-të ka evidentuar të gjithë nxënësit që nuk kanë pasur qasje në mësim online për shkak të mungesës së pajisjeve. MASh-i në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë ka siguruar pajisjet teknologjike në mënyrë që asnjë nxënës të mos mbetet jashtë procesit”, thuhet në përgjigjen e MASH-it.

Sipas statistikave të MASH-it, në vitin shkollor 2019/2020 në arsimin parauniversitar kanë qenë gjithsej 345.540 nxënës.

Për shkak të pandemisë, për nxënësit e këtij niveli mësimi nga distanca ka nisur në fund të muajit mars dhe ka përfunduar në qershor.