Arbëri

Hoti kërkon të raportojë në Kuvend për Marrëveshjen në Washington

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Kryeministri Avdullah Hoti, i ka kërkuar Kuvendit që t’i mundësohet raportimi për Marrëveshjen e 4 shtatorit në Washington dhe për procesin në tërësi të dialogut me Serbinë.

Ai të martën i ka nisur një letër kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani dhe Kryesisë.

“Më 4 shtator 2020, në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, është arritur një Marrëveshje e rëndësishme për vendin tonë lidhur me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ky është hap shumë i rëndësishëm drejt marrëveshjes përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe njohje reciproke në mes të dy shteteve. Në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive të mia kushtetuese e ligjore, jam i gatshëm që në njërën nga seancat e radhës të Kuvendit të Republikës së Kosovës të raportoj para deputetëve për marrëveshjen në fjalë, si dhe për procesin e dialogut në përgjithësi”, ka shkruar Hoti në letër, përcjell Zyra për Informim e Kryeministrisë.

Raportim për Marrëveshjen e 4 shtatorit, të hënën kërkoi edhe partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.

VV-ja, por edhe PDK-ja e kanë kritikuar marrëveshjen. Madje, VV-ja ka ftuar të gjithë ata që janë të pakënaqur me marrëveshjen të nënshkruajnë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti, të nisur nga kjo parti kohë më parë.