Arbëri

Grenell: Kosova dhe Serbia meritojnë normalizim ekonomik, ta lëmë anash politikën

Foto: Reuters

I dërguari i posaçëm i administratës së Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka bërë thirrje për një normalizim ekonomik dhe lënien anash të politikës.

“Qytetarët e Kosovës dhe Serbisë meritojnë normalizim ekonomik dhe mundësi të krijojnë një ekonomi të gjallërishme. Sot jam i përqendruar te të rinjtë që duan një karrierë, një punë të mirë dhe një lidhje me Perëndimin. Ju kam dëgjuar. Dhe, do të mundohem fort për ju. Të lëmë anash politikën”, ka shkruar në Twitter Richard Grenell.

Sot fillon takimi në Washington mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë, ku thuhet se do të bisedohet për tema ekonomike.

Këshilltari për Siguri Shtetërore, Robert O’Brien i është referuar të mërkuren takimit të sotëm mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai ka porositur se takimi në Shtëpinë e Bardhë do ta avancojë paqen përmes bashkëpunimit ekonomik.

“Mirëpres takimin e nesërm në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Hoti. Këto diskutime të rëndësishme do të avancojnë paqen përmes bashkëpunimit ekonomik. Përkushtimi i të dy liderëve në dialog do të sjellë përfitime për Serbinë dhe Kosovën”, ka shkruar O’Brien.

Nikoqir i takimit është edhe Grenelli, i cili nuk e ka përjashtuar mundësinë që përpos çështjeve ekonomike të hapen edhe çështje tjera, ndonëse ka përjashtuar se Washingtoni ka ndonjë plan sekret.

Grenelli ka thënë se në pjesën e parë të takimit do të insistojë rreth tri çështjeve: zhvillimit të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, ashtu si edhe për linjën ajrore.

Me ndërmjetësim të dërguarit të tij Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar marrëveshjet për linjën ajrore, hekurudhore dhe për autostrada, por të cilat ende nuk kanë nisur së zbatuari.

Grenelli nuk ka mundur të konfirmojë nëse do të bashkohet presidenti i SHBA-së, Donald Trump, por ka theksuar se edhe vetë presidenti është në rrjedha të përgatitjeve të disa ditëve të kaluara.

Pas takimit në Washington, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, takohen më 7 shtator në Bruksel.