Arbëri

Bie numri i grave të burgosura, asnjëra me COVID-19

Foto: Koha

Derisa para pandemisë COVID-19 numri i grave të burgosura në Qendrën Korrektuese për gra në Lipjan ka shkuar deri në 70, sot ky numër ka rënë. Aktualisht në këtë qendër janë të burgosura 35 gra.

Në një përgjigje zyrtare për KOHËN nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, theksohet se asnjëra prej tyre nuk është infektuar me koronavirus.

“Në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan janë të burgosura 35 gra. Deri në këto momente, asnjë e burgosur nuk është e infektuar me koronavirus”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.

Sipas SHKK-së, numri i të burgosurave ka rënë gjatë pandemisë.

“Para pandemisë COVID-19 numri i të burgosurave ka qenë më i lartë, por asnjëherë nuk e ka kaluar numri 70. Para fillimit të pandemisë, numri i të burgosurave ka qenë 48. Tash janë vetëm 35”, thuhet në njoftim.

KOHA ka pyetur edhe për gjendjen shëndetësore të të burgosurave, derisa SHKK-ja ka njoftuar se trajtimi i tyre është i mirë dhe se asnjëra nga to nuk është e infektuar me virus. Derisa në këtë qendër akomodohen edhe të burgosurat shtatzënë, SHKK-ja ka njoftuar se asnjë prej tyre në këtë periudhë nuk është shtatzënë.

Më herët, SHKK-ja pati raportuar gjithashtu se gjatë pandemisë, gratë në Qendrën Korrektuese nisën prodhimin e maskave kirurgjikale që tash përdoren në institucione korrektuese.

Qendra Korrektuese për Femra ka kapacitet për deri në 170 të burgosura.