Arbëri

Sipas Zemajt, monitorimi i çmimeve të testeve nuk është përgjegjësi e MSH-së

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, nuk e konsideron përgjegjësi të institucionit që e drejton kontrollin e mundësisë së manipulimit me çmime të testit molekular PCR nga laboratori i vetëm privat që i kryen këto testime.

I pyetur nga gazetarët të hënën për këtë çështje, ai ka thënë se përgjegjëse janë institucionet e tjera.

“Ne i kemi licensuar më shumë se 120 laboratorë. Jemi në proces të licensimit edhe të tjerëve dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Bordi për licensim të gjithë ata që i përmbushin kriteret do t’i licensojë. Është kompetencë e organeve tjera që t’i mbikëqyrin, qoftë Agjencionin Kosovar të Konkurrencës, qoftë Administrata Tatimore e Kosovës, por ne e bëjmë punën tone profesionale”, ka thënë Zemaj, raporton KOHA.

Pak orë pas, shefi i tij në LDK, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook është deklaruar krejt ndryshe. Ka thënë se testimet për virus nuk janë shpenzime luksi, por nevojë dhe se institucionet, sipas tij, duhet të marrin veprime që të eliminohet çdo diskriminim i qytetarit, qoftë me çmime të larta të pabaza apo me marrëveshje siç i ka quajtur Mustafa të fshehta të eliminimit të konkurrencës, të atyre që janë licencuar.

Ish-ministri Uran Ismaili përmes një statusi në Facebook ka thënë se rritja e çmimeve në laboratorë privatë nuk duhet të tolerohet. Ismaili ka thënë se shëndetësia duhet të çlirohet njëherë e përgjithmonë nga monopolet dhe keqpërdorimet që pasurojnë oligarkët dhe varfërojnë qytetarët. Ai ka thënë që zhvatjen në emër të shëndetit do ta ndalonte vendosja e çmimit tavan për testime.

Përveç testimit, pacientët me Covid-19 kanë kosto të lartë shërimi. Veçanërisht pacientët që nuk hospitalizohen, koston e shërimit e mbulojnë vetë.

Deputeti i AAK-së, Gazmend Syla, përmes një postimi ka deklaruar se pacientët po shpenzojnë deri në 600 euro për trajtim. Ai ka thënë se disa prej tyre e kanë ndonjë të afërm në diasporë, disa të tjerë kanë paga që iu mundësojnë të marrin hua apo kredi.

MSh-ja pati licencuar 2 laboratorë privatë, por atij të UBT-së i është pezulluar leja për shkak se nuk janë ende gati. Në treg ka mbetur vetëm “Medical & Laboratory Services”, që siç ka raportuar Koha.net ai është në pronësi të Astrit Haxhiismajlit që para 3 vjetësh ka qenë punëtor i kompanisë “Devolli”, e aksionar tjetër sipas ARBK-së është ish-kryeshefi i AKPPM-së, Jeton Shala, që ka lidhje familjare me Isa Mustafën.