Arbëri

Kosnett: SHBA-ja e përkushtuar ta ndihmojë Kosovën kundër COVID-19

Sot është mbajtur Forumi i Donatorëve për Rimëkëmbje Ekonomike, ku mori pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, e i cili theksoi se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ta ndihmojë Kosovën në luftën kundër COVID-19.

“Në forumin e sotëm theksova se SHBA-ja është e përkushtuar ta ndihmojë Kosovën kundër COVID-19. Qeveria duhet të mobilizojë burimet e veta për ta menaxhuar krizën”, njoftoi ambasadori Kosnett përmes Twitterit.

Kosnetti madje u është drejtuar edhe qytetarëve të Kosovës me një mesazh.

“Populli i Kosovës ka energji e zgjuarsi. Ato janë armët tuaja sekrete për ta luftuar COVID-19”, shton Kosnetti.

Në forum qe edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ministrja e Financave Hykmete Bajrami dhe përfaqësuesi i BE-së, Riccardo Serri.

Takimi kishte për qëllim diskutimin për qasjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe donatorëve për të financuar rimëkëmbjen ekonomike të vendit, të nevojshme pas pandemisë së Covid-19.

“Ndihma e menjëhershme e mobilizuar nga donatorët nëpërmjet projekteve, përkrahjes së buxhetit të vendit dhe huave për investime, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike gjatë vitit 2020 dhe e planifikuar për vitin e ardhshëm, arrin mbi 400 milionë euro”, njoftoi zyra e kryeministrit.