Arbëri

Thaçi gazetarinë në Kosovë e konsideron më të guximshmen në rajon

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në konferencën rajonale për sigurinë e punës së gazetarëve, ku morën pjesë asociacione të gazetarëve të shteteve të rajonit, bashkë me drejtorë dhe kryeredaktorë të mediave kryesore në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti Thaçi theksoi se gazetaria në Kosovë ndoshta nuk është më e vjetra për nga tradita, por është ndër më të guximshmet në rajon, transmeton Koha.net.

“Gazetarët në Kosovë kanë qenë ndër të parët që janë angazhuar për pluralizëm, për demokraci, për barazi, për të drejta të njeriut dhe për liri të shprehjes. Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, në Kosovë janë bërë përpjekje të mëdha që të instalohet një gazetari profesionale, e besueshme dhe gjithmonë në shërbim të publikut”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit vlerësoi se kanë qenë dy rrethana të rëndësishme që kanë rezultuar me gazetari të guximshme.

“E para, në Kosovë, gazetaria e lirë, e mirëfilltë, ka filluar në kohën e represionit dhe aparteidit. Ndër të parët që janë përballur me represionin dhe përpjekjen për të ndalur zërin që kërkonte drejtësi e barazi kanë qenë pikërisht gazetarët”, ka thënë presidenti Thaçi, i cili shtoi se në këto rrethana është farkëtuar guximi për t’u përballur me pushtetin, çfarëdo qoftë ai.

Presidenti Thaçi tha se janë kultivuar vlerat si paanshmëria, profesionalizmi, zelli për të hulumtuar dhe për të kërkuar informatën e saktë, si dhe guximi për të publikuar çdo informatë.

“Kjo ka pasur çmimin e vet meqë gazetarët gjithmonë kanë qenë në thumb të atyre që me dhunë dhe me represion kanë kërkuar të instalojnë politikat e tyre”, u shpreh ai.

E dyta, shtoi presidenti Thaçi, vendi ka pasur përkrahje të madhe ndërkombëtare në ndërtimin e një gazetarie profesionale dhe të standardeve më të larta.

“Është përkrahur formimi i organizatave që mbrojnë gazetarët, të drejtat e gazetarëve, por edhe organizatat që mbrojnë vetë profesionin e gazetarëve. Është përkrahur krijimi i legjislacionit që mbron punën e gazetarëve, si dhe vetë gazetarët”, theksoi presidenti Thaçi.

Presidenti shtoi se gazetarët në Kosovë janë të mbrojtur me ligj në punën e tyre dhe jo vetëm që nuk mund të dënohen për punën e gazetarit, por madje, në Kosovë, gazetarët edhe në gjyq nuk janë të obliguar t’i zbulojnë burimet e tyre.

“Kjo nuk do të thotë që gazetarët e kanë të lehtë punën e tyre. Edhe në Kosovë gazetarët, gazetaria në përgjithësi, përballen me presione mbi punën e tyre. Shkrimet për korrupsionin, për ekstremizmin, për radikalizmin, për të drejtat e barabarta për çdo komunitet, qoftë për komunitetet etnike, qoftë për komunitetet tjera të tilla si LGBTI, për më të cenueshmit si gratë dhe fëmijët, i vënë gazetarët në kërcënim dhe rrezik të drejtpërdrejtë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Për sa i përket sfidave me të cilat përballën sot gazetarët, presidenti Thaçi theksoi se Kosova jo vetëm me të arriturat, por edhe me sfidat me të cilat ballafaqohet është në hap me botën.

“Sfida kryesore për gazetarët dhe për gazetarinë si profesion, nuk vjen nga jashtë profesionit, por nga brenda profesionit. Sot, falë mundësive që ofron interneti, raportimi dhe shpërndarja e lajmeve është bërë më e lehtë se kurdoherë më parë. Kjo ka bërë që në profesionin e gazetarisë të depërtojnë edhe ata që gazetarinë nuk e kanë qëllim, por mjet për realizimin e ambicieve tjera të tyre. Kjo e gërryen përbrenda integritetin, profesionalizmin dhe besueshmërinë e profesionit të gazetarit”, u shpreh presidenti Thaçi.

I pari i vendit theksoi se së paku në Kosovë, sot nuk është më sfidë liria e të shprehur të gazetarëve, por abuzimi dhe keqpërdorimi që i bëhet lirisë së të shprehurit nga ata që gazetarinë nuk e kanë profesion.

“Edhe këtu, rolin kryesor në mbrojtjen e profesionit e kanë vetë gazetarët. Të organizuar rreth institucioneve të themeluara nga përfaqësuesit e mediave që monitorojnë ruajtjen e standardeve profesionale, vetë gazetarët janë më të thirrurit që të mbrojnë profesionin e tyre nga abuzimet”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi shprehu besimin e tij se në këtë konferencë të organizuar nga OSBE-ja, të pranishmit do të gjejnë përgjigje edhe për këtë sfidë të gazetarisë së sotme, jo vetëm këtu në Kosovë, por edhe në rajon dhe botë.