Arbëri

Selimi dhe Haradinaj-Stublla takohen me Palmerin, temë njohja në kufijtë ekzistues mes Kosovës e Serbisë

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi bashkë me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj-Stublla, kanë zhvilluar një takim me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Matthew Palmer.

Siç njofton kumtesa për media, Selimi dhe Haradinaj-Stublla me Palmerin diskutuan për intensifikimin e agjendës shtetërore në përafrimin e Kosovës me familjen euro-atlantike, progresin në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe hapjen e një dinamike të re për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me njohje në kufijtë ekzistues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sa i përket procesit të dialogut, njofton kumtesa e MD-së, Selimi ka theksuar se Kosova është gjithnjë besnike ndaj interesave strategjike të shtetit mik dhe për këtë ka konsideruar se pa bashkërendim dhe garancë të Amerikës, është vështirë arritja e çfarëdo marrëveshjeje të qëndrueshme me Serbinë.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Matthew Palmer, në anën tjetër ka rikonfirmuar mbështetjen e ShBA-së duke potencuar se fokus kryesor duhet të jetë arritja e progresit të Kosovës në integrimin e plotë ndërkombëtar, forcimin e shtetit ligjor dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.