Arbëri

Ish-drejtori i Financave thotë se “Telekomi do të udhëhiqet nga gangsterët e AAK-së”

Descriptive Text

Sipas ish-ushtruesit të detyrës së Zyrtarit kryesor të Financave dhe Thesarit në Telekom, Feim Kelmendi, kjo ndërmarrje nga e mërkura do të udhëhiqet nga “gangsterët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”.

Një ditë pasi bordi i përkohshëm i Telekomit emëroi Zeqir Kiqinën ushtrues detyre të kryeshefit në këtë ndërmarrje, Kelmendi ka reaguar duke thënë se Telekomin do ta udhëheqin “grupe mafioze të udhëhequra nga Daut Haradinaj (deputet i AAK-së)”.

“Prej nesër rifillon zhvatja dhe vjelja e haraçit ndaj Telekomit nga gangsterët e AAK-së, konkretisht nga grupet mafioze të udhëhequra nga Daut Haradinaj”, ka shkruar ai në një reagim në Facebook.

Kelmendi tutje e ka quajtur të mjerë kryeministrin Avdullah Hoti, ndërsa bordin e ka vlerësuar si i përbërë nga “injorantë”. Sipas tij, bordi i përkohshëm i Telekomit “është i hapur në shërbim të grupeve zhvatëse”.

Për Kiqinën që është emëruar në pozitën e re, e vite më parë ishte kryetar i Degës së AAK-së në Drenas, Kelmendi ka thënë se ka qenë “punëtor i sigurimit fizik në një pikë shitëse në njërën nga qytezat e Kosovës”.

“Për ta kuptuar më qartë sesi funksionojnë grupet zhvatëse mjafton fakti që Drejtor Gjeneral i një kompanie zgjidhet personi i cili krejt karrierën e tij ka punuar si punëtor i sigurimit fizik në një pikë shitëse në njërën nga qytezat e Kosovës, ndërkohë që kjo kompani në mesin e saj ka qindra inxhinierë të telekomunikacionit, qindra financiarë, juristë e ekspertë të profesioneve tjera”, ka përfunduar Kelmendi.

Kelmendi ishte dorëhequr nga detyra e tij pak ditë më parë, tre muaj pasi kishte marrë postin e drejtorit të financave. Në një njoftim publik për dorëheqjen, Kelmendi kishte kritikuar bordin e përkohshëm duke thënë se ndihej i “shokuar, zhgënjyer e poshtëruar” nga vlerësimi i tij.

Në një komunikatë për media, të martën, Telekomi ka konfirmuar dorëheqjen e Burbuqe Hanës nga pozita e kryeshefes dhe Kelmendit nga drejtoria e Financave. Në vend të tyre u caktuan, si ushtrues detyre, Kiqina si kryeshef e Agim Matoshi si drejtor i Financave.

Të martën në mbrëmje, KOHA nuk ka arritur të marrë edhe një qëndrim zyrtar nga AAK-ja rreth këtyre akuzave.