Arbëri

Spitali i Gjilanit përballet me mungesë të oksigjenit e stafit mjekësor

Rreth 80 pacientët të infektuar me COVID-19 që po qëndrojnë në Spitalin e përgjithshëm të Gjilanit po përballen edhe me probleme të tjera.

Në Klinikën Infektive të këtij spitali, përpos me mungesë të stafit mjekësor, pacientët po përballen edhe me mungesë të oksigjenit.

Me vështirësi në frymëmarrje e me dhimbje trupi, po mundohet ta tejkalojë koronavirusin, burri rreth të 50-tave i cili apelon qytetarët që të mos e neglizhojnë virusin.

E në dhomën ngjitur, gjendja është më e rëndë. Aty 72-vjeçari tregon për vështirësitë që i ka me frymëmarrje.

Në krejt këtë situatë, një nga pacientët ka improvizuar një shtrat, për të qëndruar afër gruas së tij e cila është e prekur nga COVID–19, por me një gjendje më të rëndë se ai.

E vështirë po e përballon tërë këtë gjendje edhe 60-vjeçarja, një nga pacientet e kësaj klinike, e cila përpos për veten po kujdeset edhe për burrin e saj.

Ndërkohë, teksa ekipi po qëndronte brenda Klinikës Infektive, stafi mjekësor filloi dezinfektimin e dhomave të pacientëve.

Shefja e repartit infektiv, Myrvete Daku – Kurteshi, thotë se sfidë për të dhe stafin mjekësor janë situatat kur nuk ka burime të lira të oksigjenit.

Ajo ka thënë se aktualisht klinika po përballet me mungesë të stafit specialist, si pasojë e infektimit të disa prej tyre.

Kurse, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka deklaruar se ky spital po e përballon mesatarisht mirë fluksin e madh të pacientëve, pavarësisht numrit të infektuar të stafit mjekësor.

Sipas tij, pavarësisht vështirësive në sigurimin e oksigjenit, pacientët nuk e kanë vërejtur këtë mungesë. Ka thënë se vetëm 5 shtretër mbeten në shfrytëzim për pacientët e rinj.

Nga pacientët që po trajtohen në këtë spital, 6 janë me asistencë ventilatorë dhe 36 pacientë po marrin oksigjenoterapi.

Përpos Klinikës Infektive, pacientët me COVID po trajtohen edhe në repartin e pulmologjisë, neurologjisë, URL-së dhe njësisë koronare.