Arbëri

Veliu kërkon që Policia e Kosovës të bëjë patrullime të përbashkëta me KFOR-in në kufi me Serbinë

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka kërkuar që të rifillojnë patrullimet e përbashkëta të Policisë së Kosovës me KFOR-in në kufi me Serbinë, një ditë pasi xhandarmëria serbe u pa të ketë hyrë në territorin e Kosovës, në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

Teksa KFOR-i deklaroi se kjo ishte patrullim i përbashkët rutinor me forcat serbe, Veliu ka njoftuar se ka kërkuar në një takim me komandantin e KFOR-it, Michele Risi, që edhe Policia e Kosovës të bëjë patrullime në këtë pjesë të territorit.

“Nga Gjenerali Risi u njoftova se KFOR-i ishte alarmuar për këtë incident nga raportimet e mediave, pasi që një veprim i tillë ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët rutinor dhe i sinkronizuar i KFOR-it dhe i Forcave të Armatosura të Republikës së Serbisë, me të cilat që nga viti 2008, KFOR-i zhvillon patrullime të përbashkëta përgjatë vijës kufitare. Pra, ky ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët. Aktivitete të tilla të sinkronizuara mbahen si me Forcat Serbe ashtu edhe ato të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të evitohet çfarëdo përplasje ndërmjet pjesëtareve të dy forcave. Mirëpres, faktin se në të kaluarën janë organizuar patrullime të përbashkëta të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, duke kërkuar njëkohësisht që patrullimet e tilla të rifillojnë edhe në ketë pjesë të Kosovës, iniciativë e cila u mirëprit edhe nga ana e Gjeneralit Risi, i cili tha se janë të gatshëm ta asistojnë Policinë e Kosovës dhe të rifillojnë aktivitetet e tilla. Në fund të takimit u dakorduam që KFOR-i dhe Policia e Kosovës të takohen dhe të diskutojnë mbi modalitetet për rifillimin e patrullimeve të përbashkëta e të sinkronizuara përgjatë vijës kufitare me Serbinë”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Misioni i KFOR-it në reagimin e vet të shtunën kishte thënë se vija kufitare mes Kosovës e Serbisë “nuk është shënjuar qartë apo e përcaktuar nga elemente të terrenit natyror dhe të identifikueshëm, siç janë lumenjtë ose vargmalet, por është shënuar vetëm në harta” e se mund të ketë lëvizje “me një shkallë përshtatjeje të imponuar nga terreni”.