Arbëri

Hoti u kërkon deputetëve ta mbështesin projektligjin për rimëkëmbje ekonomike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se “Po krijohen kushtet për zbatim të plotë të pakos për rimëkëmbje ekonomike”.

Njofton se sot në Komisionit për Buxhet dhe Financa, është miratuar dhe përcjell për seancë projektligji për rimëkëmbje ekonomike.

“I falënderoj të gjithë anëtarët e Komisionit për mbështetje. I lus të gjithë deputetët që të mbështesin këtë projektligj në seancë, në mënyrë që të miratohet para se Kuvendi të shkojë në pushim veror”, shkruan Hoti në Facebook.

Ai thotë se programi për rimëkëmbje ekonomike financohet nga tre burime: (1) mjetet nga buxheti i rregullt, (2) marrëveshjet ndërkombëtare dhe (3) ligji për rimëkëmbje ekonomike.

“Dy të parat tanimë janë miratuar, për të cilën gjë jam falënderues ndaj të gjithë deputetëve”, shkruan kryeministri Hoti.

Hoti thotë se me buxhetin e vitit 2021, do të zhvillohen masa të tjera dhe do të vazhdojnë disa nga masat ekzistuese, si dhe do të identifikohen instrumente financiare shtesë për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike.

“Jemi në rrugë të mbarë për të mobilizuar shumën prej 1.2 miliardë euro për rimëkëmbje ekonomike”, përfundon kryeministri Hoti.